Palmer kritikon Europën për bllokimin e negociatave

“Dërgon mesazhe të gabuara tek Prishtina dhe Beogradi”

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, gjatë një dëgjese në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit amerikan, kritikoi Bashkimin Evropian për mos hapjen negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar si një vendim që “dërgon mesazhe të gabuara tek Prishtina dhe Beogradi”.

Sipas Palmer, vendimi i Këshillit Evropian rrezikon të gërryejë besueshmërinë e BE jo vetëm në

Ballkani Perëndimor, por në të gjithë Evropën dhe globalisht. Ai shtoi se Këshilli Evropian duke mos njohur në mënyrë të qartë arritjet e bëra nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, u dërgon një sinjal negativ aspirantëve të tjerë se dera për në Evropë është e mbyllur dhe dobëson argumentet për të zgjidhur mosmarrëveshjet rajonale.

Palmer deklaroi se ky zhvillim mund të krijojë një boshllëk që Rusia, Kina dhe të tjerët mund ta shfrytëzojnë për të ndikuar në Ballkan.