Palestinezët e Gazës mund të udhëtojnë në Arabinë Saudite për Umre

Që nga fundi i vitit 2014, palestinezët e Gazës nuk kanë pasur mundësinë të kryejnë haxhin në Arabinë Saudite për shkak të mbylljes së vazhdueshme të kalimit kufitar Rafah

Për herë të parë pas 4 vitesh, Egjipti ka vendosur t’i lejojë palestinezët nga Rripi i Gazës që të dielën nëpëmjet kalimit kufitar Rafah të udhëtojnë në Arabinë Saudite për të kryer Umren, raporton Anadolu Agency (AA).

Muajin e kaluar, ministri palestinez i Çështjeve Fetare, Yusuf Ideis, njoftoi vazhdimin e udhëtimeve për në Umre nga Rripi i Gazës së bllokuar pas një ndërprerjeje 4 vjeçare.

Sipas burimeve të ministrisë palestineze, grupi i parë i haxhinjve do të niset nga Gaza në Arabinë Saudite më 3 mars. Burimet e njëjta njoftuan se grupi përbëhet prej të paktën 800 personave, të cilët tashmë kanë marrë dokumentacionin e nevojshëm të udhëtimit nga autoritetet saudite.

“Zyrat e kompanive të udhëtimit të haxhinjve në Gaza janë të stërmbushura nga ata që kërkojnë të kryejnë udhëtimin e shenjtë”, tha Awad Abu Mazkour për AA, kreu i kompanisë së Haxhit dhe Umres në Gaza.

Që nga fundi i vitit 2014, palestinezët e Gazës nuk kanë pasur mundësinë të kryejnë haxhin në Arabinë Saudite për shkak të mbylljes së vazhdueshme të kalimit kufitar Rafah.

Në muajin janar, autoritetet egjiptiane lehtësuan kufizimet e udhëtimit përmes kalimit kufitar Rafah, i cili lidh Gazën e bllokuar nga Izraeli me gadishullin e Sinait në Egjipt.