Pabarazia gjinore vazhdon të ekzistojë në vendet e Ballkanit

 Edhe pse në çdo aspekt të jetës së përditshme përmendet respektimi i të drejtave dhe avancimi i pozitës së gruas në shoqëri, në realitet gratë në vendet e Ballkanit nuk i gëzojnë të drejtat ashtu sikurse burrat.

Në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni gjithashtu ekziston kjo pabarazi gjinore. Të dhënat e mbledhura nga Anadolu Agency (AA) tregojnë se pabarazia gjinore vazhdon të ekzistojë në shumë rrafshe sociale dhe ekonomike të jetesës, të tilla si integrimi i gruas në ekonomi, në fuqinë punëtore, në procesin e vendimmarrjes dhe në fusha të tjera të ndryshme.

– 79,8 për qind e femrave pjesë e fuqisë jo aktive në Kosovë

Në Kosovë, vend i cili ka nënshkruar një numër dokumentesh të rëndësishme dhe detyruese ndërkombëtare që garantojnë barazinë dhe ndalojnë diskriminimin në baza gjinore, pozita e gruas në shoqëri po mundohet të përmirësohet me programe të ndryshme shtetërore, por ende shihen dallime gjinore, sidomos në fushën e punësimit të tyre. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar në vitin 2008, poashtu përcakton bazën ligjore për futjen dhe rregullimin e parimeve të barazisë gjinore në Kosovë, si një e drejtë themelore kushtetuese.

Femrat në Kosovë kryesisht janë të punësuara në sektorin e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe tregtisë. Sipas të dhënave nga Agjencia Statistikore e Kosovës (ASK), në tre mujorin e fundit të vitit 2017 ka një dallim të dukshëm në nivelin e punësimit, i cili te meshkujt është 48,1 për qind, ndërsa te femrat 12,5 për qind.

Nga ana tjetër, duke u bazuar në shkallën e papunësisë e cila është 30,2 për qind, papunësia më e theksuar është te femrat me 38 për qind, krahasuar me meshkujt, që është 27,8 për qind. Sipas statistikave shtetërore, fuqia joaktive në Kosovë është mjaft e lartë me fokus të veçantë te femrat me 79,8 për qind, krahasuar me meshkujt që është 33,4 për qind.

Sa i përket strukturës së ndërmarrjeve sipas gjinisë së pronarëve, 75,2 për qind e pronarëve janë meshkujt, ndërsa 13,4 për qind janë pronare femra.

Pavarësisht përpjekjeve për barazi gjinore, gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në proceset e vendimmarrjes në të gjitha nivelet. Një disbalancë në pjesëmarrjen e gruas ndodh edhe në fushën e politikës, ku prej 5 zëvendëskryeministrave asnjëri nuk është femër dhe prej gjithsej 20 ministrive, vetëm dy udhëhiqen nga ministre. Gjendje e ngjashme është edhe në Kuvend, ku prej 120 deputetëve 39 janë të gjinisë femërore. Ndërkaq, në nivel lokal bie edhe më shumë, ku nga 38 komuna nuk ka asnjë që udhëhiqet nga një femër.

Ndërkaq, nuk duhet harruar që gjatë viteve të fundit, gratë kosovare po shihen si “ambasadore” të këtij vendi. Së fundi xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi, si dhe këngëtaret me prejardhje kosovare, Rita Ora dhe Dua Lipa, po vlerësohen si ambasadore kryesore që po e ngritin emrin e këtij shteti në shumë vende të botës.

– Punësimi në Maqedoni karakterizohet me një strukturë të pafavorshme gjinore

Sipas vlerësimit të popullsisë në Maqedoni, nga gjithsej 2.072.490 banorë 49,9 për qind janë femra dhe 50,1 për qind janë meshkuj. Duke u bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, punësimi në këtë vend karakterizohet me një strukturë të pafavorshme gjinore dhe kjo strukturë është e pandryshuar për një periudhë më të gjatë kohore, kryesisht për shkak të kushteve të paqëndrueshme ekonomike dhe sociale në vend.

Në raportin “Gratë dhe burrat në Republikën e Maqedonisë” të publikuar në vitin 2017 nga Enti Shtetëror i Statistikave, thuhet se shkalla e punësimit në vitin 2016 në mesin e femrave ishte 33,8 për qind, që është dukshëm më e ulët se ajo e meshkujve që është 52,3 për qind. Nga ana tjetër, shkalla e papunësisë për femrat është 22,7 për qind dhe për meshkujt 24,4 për qind.

Në po të njëjtin raport, theksohet se shkalla e aktivitetit te femrat poashtu është më e ulët me 43,8 për qind, ndërsa dukshëm është më e lartë tek meshkujt me 69,2 për qind.

Sipas të dhënave të publikuara në raport, në vitin 2015 në Maqedoni ka pasur 282.078 femra të punësuara dhe 76,3 për qind e tyre në pronësi të kompanive private. Mbi 95 për qind e femrave të punësuara janë me orar të plotë.

Në krahasim me meshkujt, numri i femrave të diplomuara në Maqedoni është më i lartë, përkatësisht 47,1 për qind e tyre, poashtu edhe numri i femrave magjistre me një shkallë prej 58,6 për qind. Në Maqedoni, në vitin 2015 ishin 143 femra doktorë shkencash.

– Gratë në Shqipëri kryesisht të punësuara në sektorin bujqësor

Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), nga gjithsej 2.870.324 banorë në vend 1.438.609 janë burra dhe 1.431.715 gra, me një diferencë prej 6.894 më shumë burra. Statistikat shtetërore tregojnë se norma e të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 50 për qind nga numri i përgjithshëm i grave.

Struktura e të punësuarve tregon se 43 për qind e grave të punësuara janë të punësuara me pagë, ndërkohë 31,2 për qind janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes. Gratë në Shqipëri kryesisht janë të punësuara në sektorin bujqësor, të vetëpunësuara në biznese familjare dhe në sektorin e administratës publike.

Disa nga problemet që hasin gratë në Shqipëri në jetën e tyre janë problemet që lidhen me papunësinë, varfërinë, përjetimit të dhunës në familje, problemet e përfaqësimit në vendimmarrje dhe të mungesës së mbështetjes për bizneset e tyre. Këto problematika kanë sjellë pengesa në arritjen e kushteve sociale, politike dhe ekonomike të grave.

Lidhur me respektimin e të drejtave të grave Shqipëria prej vitit 2008 ka miratuar ligjin “Për barazinë gjinore në shoqëri”. Ky ligj rregullon çështjet themelore të barazisë gjinore në jetën publike, mbrojtjes dhe trajtimit të barabartë të grave e burrave, për mundësitë e barabarta për ushtrimin e të drejtave, si dhe për pjesëmarrjen dhe ndihmesën e tyre në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore.

Për respektimin e të drejtave të grave janë ndërmarrë në vend disa nisma, ku përfshihet edhe krijimi i Aleancës së Grave Deputete.