OSHEE: Arrestohet punonjësi OSHEE dhe pronari i një lokali në Lezhë

Ka rënë në prangat e policisë një punonjës i OSHEE dhe pronari i një lokali në Lezhë, pasi është konstatuar se vidhnin energji elektrike.

Ka rënë në prangat e policisë një punonjës i OSHEE dhe pronari i një lokali në Lezhë, pasi është konstatuar se vidhnin energji elektrike.

Në një njoftim zyrtar nga OSHEE, bëhet e ditur se ekipet e verifikim-matjes në terren (Task Forcë) të Drejtorisë Rajonale OSHEE, Shkodër kanë “goditur” dje gjatë pasdites një grup të strukturuar organizatorësh ndërmjet punonjësve të OSHEE, Lezhë dhe subjekteve, me pasoja të rënda të veprës penale: vjedhje e energjisë elektrike duke manipuluar matësin.

Duke shpjeguar detajet e operacionit, OSHEE shprehet se “hetimi zbuloi se lexuesi Gëzim M. në bashkëpunim me punonjës të tjerë, faturonte me 340 lekë në muaj Hotel “Brilant” në Shëngjin, Lezhë. Objekti, me kontratë në pronësi të Mhill N. nuk faturohej pasi ishte manipuluar matësi, duke shkaktuar dëm në vlera disa milionë lekë”.

Po ashtu OSHEE ka marrë masa administrative ndaj punonjësit dhe subjektit që abuzonte me energjinë elektrike.

“Dosja me procesverbalin përkatës i është dorëzuar prokurorisë, për ndjekje penale, ndërsa ndaj shtetasve ka nisur procedim penal. Punonjësi është shkarkuar nga detyra kurse hotelit i është ndërprerë energjia elektrike”, deklaron OSHEE.

Një ditë më parë ka rënë në pranga Isa Ç., kryeplaku në Vau i Dejës, pasi kishte ndërhyrë në matës, duke vjedhur energji elektrike.

“Abonenti, i cili është kryeplaku i fshatit Malgush, Vau i Dejës, kishte krijuar një debi rreth 6 milionë lekë, dhe ndaj tij u mor masa e procedimit penal, bazuar mbi të dhënat e testimit, provat dhe procesverbalet e grupit të verifikimit të OSHEE”, pohon OSHEE.

OSHEE thekson se “është e detyruar të përsërisë faktin se askush nuk procedohet në polici se është debitor ndaj faturave, por në zbatim të nenit 137 të Kodit Penal ndëshkohen ata persona që: Vjedhin energjinë elektrike dhe dëmtojnë matësin”./ATSH