OSBE: Korrupsioni ende problem, më shumë llogaridhënie nga institucionet

OSBE nxit për më shumë llogaridhënie nga institucionet publike dhe hetime të pavarura të korrupsionit.

Prezenca e OSBE në Shqipëri, në faqen e saj zyrtare në Twitter, shpreh keqardhjen që trendi pozitiv që nga 2013 është përmbysur dhe se korrupsioni mbetet një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë.

“Rezultatet e #CPI2017 paralajmërojnë se korrupsioni mbetet një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë. Prezenca OSBE vëren me keqardhje se trendi pozitiv që nga viti 2013 ndryshoi, dhe nxit për më shumë llogaridhënie nga institucionet publike & hetim të pavarur të korrupsionit. Prezenca e OSBE-së i nxit institucionet publike dhe agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë të vijojnë zbatimin e reformave në drejtësi dhe antikorrupsion, sipas rekomandimeve ndërkombëtare. Ne mbetemi të përkushtuar ta mbështesim Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”, thuhet në deklaratën e OSBE në Tiranë.

Për vitin e kaluar, Shqipëria renditet në vendin e 91 nga 180 vende, me 38 pikë, duke lënë pas vetëm Maqedoninë, ndërsa ndan të njëjtin pozicion me Bosnje-Hercegovinën sa i përket rajonit të Ballkanit.