Ömer Çelik: Vrasja e Khashoggit s’mund të jetë kryer pa një udhëzim të nivelit të lartë

Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet, Omer Çelik, deklaroi të mërkurën se vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi nuk është një akt që mund të kryhet pa marrë direktivë të nivelit të lartë...

Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet, Omer Çelik, deklaroi të mërkurën se vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi nuk është një akt që mund të kryhet pa marrë direktivë të nivelit të lartë.

Omer Çelik mbajti një konferencë shtypi në Ankara pas mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv Qendror të AK Partisë.

“Ne duam të dimë ku është trupi (i Khashoggit), ne duam që autoritetet tona të informohen rreth asaj se kush janë bashkëpunëtorët vendas”, deklaroi ai.

Duke folur për hetimin rreth vrasjes së Khashoggit, zëdhënësi i AK Partisë tha se ky nuk është “një akt që mund të kryhet pa marrë një udhëzim nga niveli i lartë”.

“Turqia nuk fajëson askënd paraprakisht. Por s’do të lejojmë mbulimin e ndonjë gjëje”, shtoi Çelik.

amal Khashoggi u zhduk pasi hyri në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Pas mohimeve fillestare me pretendimin se gazetari ishte larguar nga Konsullata, administrata saudite pranoi më se dy javë më vonë se ai kishte vdekur atje.

Hetuesit zbuluan se një skuadër speciale ka mbërritur në Konsullatë për të vrarë Kashoggin dhe për të mbuluar krimin.

Ndërkohë, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, theksoi se të gjitha detajet e rastit duhet të zbulohen duke përfshirë gjithashtu bashkëpunëtorët lokalë dhe emrat që kanë dhënë direktivën për “vrasjen e paramenduar”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha se mund të vendoste sanksione mbi Arabinë Saudite, por gjithashtu sinjalizoi se nuk donte të dëmtonte marrëdhëniet dypalëshe.

Gjatë bisedave telefonike me kreun e shtetit turk, Mbreti Salman bin Abdulaziz i Arabisë Saudite dhe Princi i Kurorës, Mohammad bin Salman, premtuan bashkëpunim të gjithanshëm për zbardhjen e krimit.

Zyra e kryeprokurorit në Riad bëri me dije po ashtu se vrasja ishte planifikuar, ndërsa Prokuroria e Stambollit njoftoi se “trupi i gazetarit saudit Jamal Khashoggi është copëtuar dhe zhdukur pasi viktima është vrarë duke u mbytur”./TRT