OKB: Rivalët në Jemen bien dakord për planin e tërheqjes

Marrëveshja provuese vjen pasi kryediplomati i Jemenit, Khaled al-Yamani, muajin e kaluar paralajmëroi se sekretari i përgjitshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u zotua se do të siguroj tërheqjen e rebelëve Houthi nga Al-Hudaydah

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë bërë të ditur se rivalët ndërluftues të Jemenit kanë rënë dakord mbi fazën e parë të planit të rivendosjes në provincën bregdetare Al-Hudaydah të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, trupi global tha se anëtarë të një Komiteti Koordinues për Rivendosjen (RCC), i cili përfshin zyrtarë qeveritarë të Jemenit dhe negociatorë të grupit rebel Houthi, gjatë fundjavës së kaluar u takuan në qytetin Al-Hudaydah.

“Ata bënë përparim të rëndësishëm në planifikimin e rivendsosjes së forcave siç parashihet në Marrëveshjen Hudaydah. Pas diskutimeve të gjata dhe konstruktive të lehtësuara nga kreu i RCC-së, palët arritën një marrëveshje mbi Fazën e parë të rivendosjes reciproke të forcave”, thuhet në deklaratë.

Të dy palët, theksohet më tej në deklaratë, po ashtu kanë rënë dakord, në parim, mbi Fazën e dytë të rivendosjes reciproke, “në pritje të konsultimeve shtesë brenda udhëheqjes së tyre përkatëse”.

Sipas deklaratës, RCC pritet të mblidhet përsëri brenda një jave për të finalizuar marrëveshjen për Fazën e dytë.

Marrëveshja vjen pasi ministri i Punëve të Jashtme i Jemenit, Khaled al-Yamani, muajin e kaluar paralajmëroi se sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u zotua se do të siguroj tërheqjen e rebelëve Houthi nga Al-Hudaydah.

Dhjetorin e kaluar, përfaqësuesit e qeverisë jemenase dhe udhëheqësit rebelë Houthi në Suedi zhvilluan një raund bisedimesh të ndërmjetësuara nga OKB-ja, të cilat prodhuan një marrëveshje armëpushimi në provincën e Detit të Kuq.

Sidoqoftë, asnjëra palë ndërluftuese nuk duhet të tërhiqet plotësisht nga Al-Hudaydah mes akuzave për shkelje të armëpushimit dhe përplasjeve sporadike në pjesë të tjera të vendit.

Në Jemenin e shkretuar vazhdon dhuna që nga viti 2014 kur rebelët shia të Houthit pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa.