OKB: Numër rekord i njerëzve kanë nevojë për ndihma humanitare

Nga OKB thonë se një numër rekord prej 168 milionë njerëz do të kenë nevojë për ndihma humanitare dhe mbrojtje në vitin 2020

Çdo i 45-ti person në planet ka nevojë për ushqim, strehim, kujdes shëndetësor, edukim urgjent, mbrojtje ose ndihmë tjetër thelbësore, thuhet në raportin vjetor të Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmbledhja e raportit Global Humanitare 2020 bazohet në nevojat në Afganistan, Burkina Faso, Burundi, Kamerun, Republikën e Afrikës Qendrore, Çad, Republikën Demokratike të Kongos, Etiopi, Haiti, Irak, Libi, Mali, Mianmar, Niger, Nigeri, në territoret e okupuara palestineze, Somali, Sudan i Jugut, Sudan, Siri, Ukrainë, Venezuela dhe Jemen.

“Në vitin 2019, shumë më shumë njerëz kishin nevojë për ndihmë sesa një vit më parë. Arsyeja është sepse më shumë njerëz u prekën nga konfliktet dhe ndryshimet klimatike sesa kishim menduar”, tha koordinatori i ndihmave pranë OKB-së, Mark Lowcock, gjatë publikimit të raportit në Gjenevë.

Nga OKB thonë se një numër rekord prej 168 milionë njerëz do të kenë nevojë për ndihma humanitare dhe mbrojtje në vitin 2020.

Lowcock gjithashtu tha se në konfliktet e armatosura po vriten ose po plagosen një numër rekord i fëmijëve.

“Ndryshimet klimatike, konfliktet dhe paqëndrueshmëria ekonomike po shkatërrojnë miliona jetë”, tha ai, duke përmendur se së bashku me ekonomitë e shkatërruara, këto shkaqe kanë shtyrë miliona njerëz në prag të mbijetesës.

Në ngjarjen e njëjtë, UNICEF publikoi thirrjen e saj urgjente prej 4.2 miliardë dollarësh për vitin 2020 për t’u ofruar mbështetje fundamentale 59 milionë fëmijëve në 64 vende të botës.

Pesë thirrjet më të mëdha individuale të UNICEF-it janë për refugjatët sirianë dhe komunitetet vendase në Egjipt, Jordani, Liban, Irak dhe Turqi (864,1 milionë dollarë); Jemen (535 milionë dollarë); Siri (294,8 milionë dollarë); Republika Demokratike e Kongos (262,7 milionë dollarë); dhe Sudani i Jugut (180,5 milionë dollarë).

UNICEF tha se kjo është kërkesa më e madhe e bërë ndaj donatorëve, që paraqet rritje prej 3,5 herë nga fondet e kërkuara në vitin 2010.