OKB-ja vazhdon të ndihmojë Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit

Në Shqipëri u inaugurua projekti “Forcimi i aftësisë ripërtëritëse”, i cili synon përmirësimin e sistemit të mbrojtjes dhe falë këtij projekti për herë të parë do të realizohet në vend Vlerësimi i Riskut nga Fatkeqësitë në nivel kombëtar.

Përmirësimi i sistemit të mbrojtjes civile prej kohësh ka marrë vëmendjen dhe përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe qeverisë shqiptare. Këtij qëllimi do t’i shërbejë projekti “Forcimi i aftësisë ripërtëritëse në Shqipëri”, i cili u inaugurua këto ditë nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe përfaqësueses së përhershme të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Limya Eltayeb.

Në mes tjerave Xhaçka tha: “Dokumenti që nënshkruam pak më parë, mbështetet në sugjerimet që ekspertë vendas dhe të Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe UNDP dhanë në raportin e vlerësimit të nevojave, pas tërmetit të 26 Nëntorit të vitit të kaluar. Kurrë më shumë sesa në ato ditë të vështira, nuk ka qenë më i vyer mendimi i ekspertëve vendas e të huaj për të përmirësuar Sistemin e Mbrojtjes Civile, mbështetur në koordinimin dhe bashkëpunimin institucional, në zhvillimin e kornizës që mundëson zvogëlimin e riskut ndaj fatkeqësive natyrore, apo duke rritur kapacitetet përgatitore dhe reaguese të strukturave dedikuar fatkeqësive natyrore në nivel qendror apo vendor”.

Sipas ministres së mbrojtjes shqiptare, Shqipëria për herë të parë do të realizojë Vlerësimin e Riskut nga Fatkeqësitë në nivel kombëtar.

“Bazuar edhe mbi këtë projekt, do të mund të hartojmë kodet e reja të ndërtimit apo çka është më e rëndësishmja do të realizojmë për herë të parë Vlerësimin e Riskut nga Fatkeqësitë në nivel kombëtar e për rrjedhojë dhe Strategjinë kombëtare për zvogëlimin e riskut të fatkeqësisë dhe Procedurat standarde të operimit në rastet e fatkeqësisë, shkruan TR.

Sot, nisi puna për një projekt ambicioz, për të cilin ne në Ministrinë e Mbrojtjes ndjehemi krenarë, pasi në pak vite, bashkë me ligjin e ri “Për Mbrojtjen Civile”, ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, forcimit të kapaciteteve të FA në kuadër të emergjencave civile, po hedhim gurët e themelit të një prej sistemeve më të rëndësishme që mbron atë çka është më e shtrenjtë për secilin prej nesh: jetën”, – deklaroi ministrja Xhaçka.

Aktualisht, UNDP po vë në zbatim dy iniciativa pilote në nivel qendror dhe vendor, përkatësisht vlerësimin e kapaciteteve institucionale, ku përfshihen institucionet e rëndësishme qendrore dhe bashkëpunimi me Bashkinë e Lezhës për të zhvilluar profilin e saj të riskut dhe planin vendor të Mbrojtjes Civile, duke mundësuar kështu terrenin për një përshkallëzim të përpjekjeve të gatishmërisë dhe të përgjigjes.

Ndërsa nga ana e saj, Limya Eltayeb, përfaqësuese e përhershme e UNDP tha:

“Fatkeqësitë natyrore kanë fuqinë që të përmbysin rritjen ekonomike dhe progresin e arritur, të rrisin pabarazinë e ekspozimit ndaj riskut dhe të godasin më rëndë ata që kanë vështirësi më të mëdha ekonomike dhe sociale. Fatkeqësitë natyrore kanë qenë dhe vijojnë të jenë pjesë e realitetit tonë dhe pashmangshmërisht do të kemi një përkeqësim të mëtejshëm të këtyre fenomeneve nga ndryshimet klimatike. Reduktimi i riskut nga fatkeqësitë lidhet me mbrojtjen e jetëve njerëzore, me varfërinë, bizneset dhe mjetet e jetesës për ne dhe brezat e ardhshëm. Në cilësinë e saj si një organizatë botërore për zhvillim, UNDP promovon qeverisjen e mirë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, të cilat kanë në qendër të tyre qeniet njerëzore nën moton “Askush të mos mbetet pas”. Qëndrueshmëria ka nevojë për aftësi ripërtëritëse. Reduktimi i riskut nga fatkeqësitë është mënyra e vetme për të garantuar se fatkeqësitë natyrore nuk do ta nxjerrin zhvillimin e qëndrueshëm nga binarët. E për rrjedhojë, ne kemi vetëm një mundësi: të përgatitemi për të zbutur ndikimet nga fatkeqësitë natyrore dhe, kur ato të ndodhin, të jemi të aftë të përgjigjemi në kohë për të shpëtuar sa më shumë jetë. Nëse vihet plotësisht në zbatim, ne jemi besimplotë se ky program do të shënjojë një pikë kthese në Menaxhimin e Riskut nga Fatkeqësitë për Shqipërinë”. – u shpreh Limya Eltayeb, përfaqësuese e përhershme e UNDP.

Projekti do ta mbështesë gjithashtu përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, në pajtim me parimet e Kuadrit të Sendait për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë (KSRRF) dhe me rekomandimet e Vlerësimit të Nevojave pas Fatkeqësisë Natyrore (VNFN) në vazhdën e tërmetit të 26 Nëntorit në Shqipëri.

Nga ana tjetër, tashmë Shqipëria do të jetë me kontingjentin e saj të radhës në grup-batalionin e NATO në Letoni.

Kontingjentit VII EOD, i cili do të marrë pjesë në misionin Enhanced Forward Presence (eFP) të NATO, si pjesë e grup-batalionit të udhëhequr nga forcat kanadeze, të dislokuara në Letoni u përcoll nga Gjeneralbrigade Bardhyl Kollçaku.

Ministria e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, bëri të ditur se ceremonia e ndërrimit të trupave u zhvillua pak ditë më parë në Camp Adazi, Letoni.

Ndërkohë, Kontingjentit i VI EOD është kthyer në Shqipëri duke përfunduar me sukses misionin e tij, në krah të forcave të tjera të NATO-s.