OKB dhe BE të zhgënjyer me tërheqjen e SHBA-së nga UNHCR

SHBA mbrëmë shpalosi vendimin për t'u tërhequr nga UNHCR-ja, të cilën e akuzon për fushatë të pamëshirshme kundër Izraelit

 Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shprehu keqardhje për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sekretari i Përgjithshëm më shumë do të donte që SHBA të mbetej në UNHCR. Organizata ka një rol shumë të rëndësishëm në promovimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dutarric në një reagim me shkrim.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo shpalosën vendimin për tërheqjen e SHBA-së nga UNHCR-ja, të cilën SHBA e akuzon për fushatë të pamëshirshme kundër Izraelit, aleatit strategjik të SHBA-së.

Tërheqjen e SHBA-së e ka dënuar edhe Bashkimi Evropian, më saktë Departamenti i saj për Politikë të Jashtme (EEAS) i cili në kumtesën e lëshuar thekson se SHBA çdo herë ka qenë në frontin e parë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe aleat i fuqishëm i BE-së.

“Ky vendim rrezikon rolin e SHBA-së si kampion në luftën për demokraci në skenën botërore”, thonë nga EEAS.

Poashtu edhe lëvizja palestineze e rezistencës Hamas reagoi ndaj tërheqjes amerikane nga UNHCR-ja duke theksuar se edhe kjo është një dëshmi për izolimin gjithnjë e më të madh ndërkombëtar të SHBA-së.

“SHBA më nuk janë në gjendje të arsyetojnë praktikën e tyre kriminele dhe mbështetjen e terrorizmit izraelit mbi popullin palestinez”, ka thënë zëdhënësi i Hamasit, Sami Abu Zuhri.