Numri i bizneseve të çregjistruara në vite në tatime arrin në 69,600, vetëm më 2023 mbyllën aktivitetin 3100 subjekte

Teksa Shqipëria prej vitesh i ka lehtësuar procedurat për hapjen e një biznesi të ri, mbyllja e tyre ka rezultuar përherë një proces i vështirë që kërkon kohë dhe shoqërohet me kosto.

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se gjendja e tatimpaguesve te çregjistruar progresive në sistemin e ri tatimor në fund të 2023 rezulton me 69,600 tatimpagues (në këtë shifër përfshihen bizneset e mbyllura në vite).

Vetëm për vitin 2023 rezultuan të çregjistruar në Regjistrin Kombëtar të DPT 3,100 tatimpagues, të cilët përmbushen dhe detyrimet ligjore.

Procesi i çregjistrimit te tatimpaguesit finalizohet në Drejtoritë Rajonale Tatimore. Për të realizuar këtë proces certifikatat e çregjistrimit (kopje) te lëshuara nga QKB aktualisht dërgohen direkt në DRT përkatëse në bazë të marrëveshjes që është rënë dakord me QKB-në, pasi aty kryhen dhe veprimet konkrete për çregjistrimin e tatimpaguesit edhe nga Regjistri i tatimpaguesve te DRT.

Por tatimet pohojnë se procesi i çregjistrimit vijon të ndeshet me vështirësi, pasi finalizimi nuk mund te realizohet vetëm nga tatimorët.

Mos-përmbushja e kushteve ligjore nga ana e tatimpaguesve bëhet pengesë për çregjistrim, pasi nuk arrijnë të paguajnë të gjitha detyrimet dhe të dorëzojnë të gjitha deklaratat tatimore.

Gjithashtu pengesë për çregjistrim bëhet mosveprimi të punonjësve të kontrollit për të vlerësuar deklaratat dhe llogarinë përkatëse të tatimpaguesit në kohën e duhur, dhe i mosmiratimit te çregjistrimit nga ana e tyre, për të cilat pengojnë çregjistrimin e tij, arsyetojnë tatimet.

Çregjistrimi nuk mund të bëhet edhe kur tatimpaguesi nuk paraqet dokumentacionin mbi vendin e biznesit nëse e ka me qira apo jo.

Aplikimi për çregjistrimin e personit fizik bëhet online, duke plotësuar formularin online me qëllim mbylljen përfundimtare të aktivitetit.

QKB, me marrjen e kërkesës për çregjistrim të personit fizik, pasi kryen verifikimet dhe vëren përmbushjen e kushteve për regjistrim. Më pas Administrata tatimore, brenda 10 ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim të personave fizikë, është e detyruar të verifikojë dhe të vlerësojë situatën tatimore të subjektit në llogarinë e tij në kontabilitetin dhe sistemin e të dhënave që disponon, si dhe për deklaratat e padorëzuara nga ai, administrata tatimore njofton brenda këtyre 10 ditëve tatimpaguesin.

Kur administrata tatimore, sipas analizës së riskut, gjykon se është e nevojshme të ushtrojë kontroll në mjedisin ku kryen veprimtarinë subjekti, ky kontroll dhe pasqyrimi i tij në situatën e tatimpaguesit nuk mund të zgjasë më shumë se 30 ditë pune. Nëse, organi tatimor nuk ka paraqitur ndonjë kundërshtim me shkrim brenda afatit ligjor 30 ditë pune, Qendra Kombëtare e Biznesit, kryen menjëherë çregjistrimin e subjektit./B.Hoxha