Nuk ka më “like” në Instagram, nuk janë më të dukshme në postime

Instagram do t’ju heqë mundësinë për të parë numrin e “Like” nën postime.

Rrjeti social e ka nisur testin në vende të ndryshme. Ju gjithsesi mund të jepni pëlqimin tuaj në një përmbajtje të caktuar, por nuk do të keni më mundësisë për të parë numrin total të pëlqimeve deri në atë moment. Vetëm personi që administron account-in mund t’i shohë, shkruan Monitor.

“Dëshirojmë që Instagram të jetë një vend ku të gjithë të ndihen të lirë të shprehin veten. Kjo do të thotë të ndihmosh njerëzit të përqendrohen te fotot dhe videot e publikuara dhe jo se sa pëlqime marrin. Jemi duke e bërë këtë test në disa vende për të kuptuar se si kjo nismë mund të përmirësojë përvojën në Instagram”, – shpjegon Tara Hopkins, Head of Public Policy Emea, i rrjetit social në pronësi të Facebook.

“Me fjalë të tjera, kur pëlqimet janë publike, njerëzit shqetësohen shumë për to. Njerëzit i shohin si një njësi matëse për suksesin. Ata tallen me të tjerët që marrin pak pëlqime në publikimet e tyre. Nëse një postim nuk merr mjaftueshëm ‘like’, njerëzit i fshijnë për t’u dukur që të gjithë fotot e tyre janë të suksesshme.”

Eksperimenti për të hequr mundësinë për të parë numrin e pëlqimeve në Instagram u njoftua në prill gjatë F8, takimi i përvitshëm i zhvilluesve dhe sipërmarrësve të grupit Facebook. Por atëherë, ky test ishte i kufizuar vetëm në Kanada, ndërsa tani do të shtrihet edhe në përmbajtje, vende dhe komunitete të tjera.

Vendet ku po zbatohet testi i Instagram:

  • Irlandë
  • Itali
  • Japoni
  • Brazil
  • Australi
  • Zelandë e Re

Qëllimi është të zbusë varësinë nga “like” të shumë përdoruesve, një fenomen i cili është theksuar nga Kaspersky në një kërkim të bërë dy vjet më parë. Sipas studimit, 61% e përdoruesve të intervistuar deklaroi që i përdornin rrjetet sociale për t’u ndier më mirë, por 57% pohoi se nuk gjente atë që donte të shihte. Vetëm 31% e të intervistuarve, ose 1 në 3 përdorues, nuk shqetësohej për numrin e “pëlqimeve” që merrte kur publikonte një postim. Madje 24% e meshkujve dhe 17% e femrave zemëroheshin nëse nuk merrnin vëmendje, e shprehur gjithnjë në “like”.

Në studim dalin në pah edhe dy të dhëna më shqetësuese. Vetëm për të marrë sa më shumë pëlqime, njerëzit vënë në rrezik privatësinë e tyre: shtëpinë (37%), email-in personal (31%), statusin e marrëdhënies së tyre (30%), vendin e punës (18%) etj. Të intervistuarit pranuan në fund, se për shkak të rrjetit social kishin nisur të flisnin gjithnjë e më pak me prindërit (31%), fëmijët (33%), partnerin (23%), miqtë (35%) dhe kolegët (34%).