“Nuk ka marrëveshje përfundimtare me Serbinë nëse nuk zgjidhet çështja e të pagjeturve”

"Nuk ka marrëveshje përfundimtare me Serbinë nëse nuk zgjidhet çështja e të pagjeturve. Fatmirësisht edhe kryeministri Hoti por edhe delegacioni mendon njëjtë", tha ministri Selimi

Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka thirrur mbledhjen e radhës me aktorë kryesorë të shtetit të Kosovë për llogaridhënie rreth çështjes së personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbledhje ka marrë pjesë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, por është kritikuar nga anëtarët e këtij komisioni mospjesëmarrja e kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministres së Jashtme dhe Diasporës, Meliza Stublla-Haradinaj, edhe pse pjesëmarrja e tyre ka qenë e paraparë.

Ministri Selimi është pyetur nga përfaqësuesit e partive parlamentare në këtë komision rreth përfshirjes së personave të pagjetur dhe të zhvendosur në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Washington.

Ai ka thënë se në dialogun me Serbinë që do të mbahet në Bruksel, çështja e parë që do të diskutohet është fati i të pagjeturve.

“Nuk ka marrëveshje përfundimtare me Serbinë nëse nuk zgjidhet çështja e të pagjeturve. Kështu që, rrjedhimisht, nëse një marrëveshje përfundimtare nuk do ta përfshijë këtë ne nuk do të jemi pjesë e atyre përpjekjeve. Fatmirësisht edhe kryeministri Hoti por edhe delegacioni mendon njëjtë”, tha Selimi.

Ministri shtoi se gjatë tri takimeve të zhvilluara në nivel ekspertësh në Bruksel janë vendosur parimet bazë për zgjidhjen efikase të kësaj çështjeje, ndërsa në marrëveshjen përfundimtare në Bruksel parashihet të krijohet komision i përbashkët që do të udhëhiqet nga një përfaqësues i Bashkimit Evropian që do të jetë përgjegjës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Sylë Ukshini, i deleguari i ministres së Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, u ndal tek gjuha e përdorur së fundmi nga ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin. Vulin deklaroi të hënën se ai do të vazhdojë ta përdorë fjalën “shiptari” (e cila u vlerësua si term ofendues nga një gjykatë e Beogradit në vitin 2018), përkundër ankesave të bëra nga Meliza Haradinaj-Stublla, se ky term përbën “gjuhë raciste, fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve”.

“Për gjuhën e fundit që kanë përdorur politikanët serbë, mendoj dhe kjo është konfirmuar edhe shkencërisht, që, terrori, gjenocidi dhe shpërnguljet fillojnë nga gjuha. Dhe, gjuha e cila përdoret në shekullin 21, jo që është e papranueshme nga një politikan, por është një gjuhë më tepër se raciste por edhe në deklaratë për shtyp përdor zhargon fyes”, thotë Ushkini, i cili shtoi se pa një ballafaqim kritik me të kaluarën, nuk mund të ketë pajtim.

Në Kosovë, që nga periudha e luftës së fundit e vitit 1999 ende janë të zhdukur rreth 1640 persona të pagjetur. Nënat dhe familjarët e pagjeturve vazhdimisht kanë bërë thirrje, që çështja e dialogut Kosovë-Serbi të kushtëzohet me çështjen e të pagjeturve, madje, kanë kërkuar edhe që në bisedimet në Bruksel të kenë edhe përfaqësuesit e tyre.