Njohja e patentave, hyn në fuqi marrëveshja me Greqinë

Marrëveshja mes Shqipërisë e Greqisë për njohjen e ndërsjellë të Lejeve të Drejtimit të automjeteve ka hyrë në fuqi dhe pritet të lehtësojë ndjeshëm jetën e shtetasve shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në shtetin fqinj, por dhe atyre që udhëtojnë drejt vendit fqinj dhe anasjelltas.

Njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit është një zhvillim pozitiv, pasi do t’u krijojë lehtësi lëvizjeje dhe komunikimi më të mëdha shtetasve shqiptarë dhe grekë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit mes dy vendeve, marrëveshje që tashmë ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

Marrëveshja u nënshkrua në maj në Souni, Greqi, nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikolaos Kotzias.

Marrëveshja parashikon që qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës, për marrjen e lejes së drejtimit greke, e cila ka edhe një impakt financiar nga 700 deri në 1000 Euro, për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi.

Qytetarët do të dorëzojnë lejen e drejtimit të marrë në Shqipëri, dhe do të marrin atë greke duke u krijuar mundësi, të qarkullojnë ose të punësohen si drejtues mjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.