Nivel alarmant infektimesh, nga e marta Mali i Zi ashpërson masat

Pritet që masat e paralajmëruara të vazhdojnë të rëndojnë ekonominë, respektivisht degën kryesore të ekonomisë së Malit të Zi, turizmin.

Nga e marta, në Malin e Zi hyjnë ne fuqi masa të reja shtrënguese për të frenuar përhapjen e shpejtë të infektimeve me koronavirus. Një prej vendeve me numrin më të madh të të prekurve në Europë, do të ashpërsojë kufizimet në qytetet më të prekura si Podgoricë, Nikshic, Ulqin apo Herceg Novi ku do të jetë e ndaluar lëvizja mes qyteteve, do të mbyllen baret, kafenetë dhe restorantet.

Po ashtu, do të ndalohen vizitat në parqe, në ambientet për argëtimin e fëmijëve, apo ambienteve sportive. Për të shkuar në punë do të duhet verifikim i lëshuar nga punëdhënësit, ndërsa të sëmurët lëvizjet e tyre do t’i dokumentojnë me raportet  e lëshuara nga mjeku.

Mali i Zi numëron mbi 1300 të prekur për 100 mijë banorë, dhe aktualisht ka rreth 86 mijë të infektuar aktivë. Shqetësues mbetet edhe numri i vdekjeve. Vetëm javën e kaluar në shtetin me 620 mijë banorë u shënuan 60 vdekje. Spitalet janë afër limitit dhe personeli shëndetësor është nën presion të vazhdueshëm.

Pritet që masat e paralajmëruara të vazhdojnë të rëndojnë ekonominë, respektivisht degën kryesore të ekonomisë së Malit të Zi, turizmin. Përfaqësuesit e këtij sektori i druhen një tjetër sezoni të dështuar këtë vit, dhe kërkojnë që shteti të sigurojë kushte për sezonin turistik. Vaksina, e cila shihet si shpëtimi i vetëm, mungon, e deri më tani kanë mbërritur vetëm 7 mijë doza të vaksinave të dhuruara nga Serbia dhe Rusia.