Nis nesër lirimi i masave shtrënguese në ‘zonat e gjelbërta’, Manastirliu: Ja si do lëvizni

Nga nesër lehtësohen masat në “zonat e gjelbërta”/ Manastirliu: Ja si do lëvizni, rregulli për mjetet private

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka komunikuar për të gjithë qytetarët lehtësimin e masave duke filluar nga nesër, data 27 prill.

Lehtësime do të ketë në orarin e lëvizjeve, në hapjen e disa bizneseve por edhe për lëvizjet në ”zonat e gjelbërta” (ato qarqe apo bashki që kanë një risk më të ulët të Covid) siç janë :

Qarku Dibër

Qarku Gjirokastër

Zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Konispol, Himarë, Delvinë dhe Finiq;

Zona e përbashkët e bashkive Prrenjas, Pogradec dhe Librazhd

Si dhe Bashkia Divjakë.

Në zonat e gjelbërta, lëvizja e pensionistëve do të jetë nga 6:00- 08:30 të mëngjesit.
Qytetarët e tjerë do të lëvizin nga ora 09:30 deri 17:30, të shoqëruar jo më shumë se me një person.

Përjashtim do të bëjnë qytetarët që kanë autorizim pune, të cilët nuk kufizohen nga oraret e sipërpërmendura.

Ne zonat e gjelbërta parqet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për 14 ditë dhe nuk do të lejohet grumbullimi dhe qëndrimi i më shumë se dy personave bashkë ne hapesirat publike, raporton Top Channel.

Sa I takon mjeteve private të transportit ato do të lejohen të qarkullojnë pa autorizim vetëm brenda Qarkut ose Bashkive përkatëse nga ora 09:30 deri 17:30, vetëm me një pasagjer.

Eshte e rëndësishme të theksohet se nuk do të lejohet lëvizja me mjet privat ose si pasagjer i pensionistëve, përvec rasteve me autorizim për arsye shëndetësore.
Përtej këtij orari mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizimin përkatës nga e-Albania.

Pavarësisht se ka zona të gjelbërta, normaliteti i ri i bashkëjetesës me virusin, do vijojë të kërkoje lëvizje të kufizuara, vetëm për arsye thelbësore, duke ruajtur ne cdo rast distancimin fizik dhe respektimin me rigorozitet të masave të sigurisë në punë dhe ne komunitet.

Situata është dinamike dhe si e tillë do të vlerësohet hap pas hapi. Me kujdes dhe përgjegjësi maksimale, për mbrojtjen së pari dhe mbi të gjitha, të jetës dhe shëndetit të qytetarëve!