Nikos Kotzias: Pakti detar, duam zgjerim në 12 milje

Ministri i Jashtëm grek: Jam kërcënuar me jetë pas bisedimeve me Shqipërinë e Maqedoninë

Kryediplomati grek Nikos Kotzias zbulon se në bisedimet që po kryhen me Shqipërinë për paktin detar, Greqia është e interesuar për të zgjeruar detin e saj territorial në 12 milje. Në një intervistë radiofonike, Kotzias shpjegon se kufiri detar do të varet nga mënyra se si do të trajtohen ishujt pranë Korfuzit.

“Ne jemi të interesuar në ndikimin e ishujve të Korfuzit, veçanërisht ishullit Otonoi. Baza për përcaktimin e hapësirës territoriale detare do të jetë 12 milje dhe për herë të parë Greqia do të zgjerojë ujërat e saj territoriale”, përcjell Klan.

Gjatë intervistës, Kotzias foli edhe për kërcënimet që ka marrë nga kundërshtarët e bisedimeve me Shqipërinë dhe të marrëveshjes me Maqedoninë për çështjen e emrit. Kotzias rrëfen se i kanë dërguar letra te ngjyrosura me gjak, kuti me plumba dhe mbi 800 mesazhe kërcënuese. Prokuroria, sipas tij, nuk ka reaguar ndaj denoncimeve. Ndërsa nuk le pa përmendur edhe faktin se opozita e ka akuzuar për tolerancë në bisedimet me Tiranën dhe Shkupin.