Nihat Zeybekçi: Turqia përpiqet për zhvillimin e tregtisë së lirë globale

Ministri i Ekonomisë Nihat Zeybekçi tha se marrëveshja e rishikuar e tregtisë së lirë me shtetet e EFTA-s është gjithëpërfshirëse

Turqia përpiqet për zhvillimin e tregtisë së lirë në mbarë botën, tha ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybekçi, raporton Anadolu Agency (AA).

“Turqia vepron në një mënyrë më të përgjegjshme për përmirësimin e tregtisë globale dhe ne japim përpjekje për zhvillimin e tregtisë së lirë midis vendeve”, tha Zeybekçi para gazetarëve në Ankara.

Zeybekçi tha se Turqia ka nënshkruar 24 marrëveshje të tregtisë së lirë dhe një marrëveshje preferenciale të tregtisë, duke shtuar se Ankaraja është ende në bisedime me disa vende, duke përfshirë Meksikën, Kolumbinë dhe Perunë, për të nënshkruar marrëveshje.

Komentet e tij erdhën pasi Turqia dhe vendet e Asociacionit të Tregtisë së Lirë (EFTA), në të cilën bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra, nënshkruan të hënën një marrëveshje për të zgjeruar marrëveshjen e tregtisë së lirë.

Sipas faqes së internetit të EFTA-s, marrëveshja e parë e tregtisë së lirë midis Turqisë dhe vendeve të EFTA-s, e cila mbulon tregtinë në prodhimet industriale, peshqit dhe prodhimet detare, si dhe produktet bujqësore të përpunuara, u nënshkrua në vitin 1991.

Zeybekçi tha se marrëveshja me vendet e EFTA-s, e përditësuar sipas rrethanave moderne, është “marrëveshja më e plotë” e tregtisë së lirë që Turqia ka nënshkruar deri më tani.

Ai shtoi se marrëveshja e përditësuar do të mbulojë më shumë fusha, siç janë shërbimet, elektronika, turizmi dhe shëndeti dhe transporti.

Ministri turk Zeybekçi theksoi se vëllimi i tregtisë dypalëshe të Turqisë me vendet e EFTA-s ishte 9,7 miliardë dollarë në vitin 2017, kurse investimet direkte nga EFTA në Turqi 3,4 miliardë dollarë.