Nga 1 korriku hiqen tarifat roaming mes vendeve të Ballkanit

Në bazë të marrëveshjes, tarifat “roaming” me pakicë nuk duhet të jenë më të larta se 0.19 euro/minutë, 0.06 euro/SMS dhe 0.18 euro/MB.

Nga data 1 Korrik hyn në fuqi marrëveshja e “roaming” mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përdoruesit e celularëve do të komunikojnë nga këto shtete me të njëjtat tarifa që përdoren brenda secilit prej këtyre vendeve.

Marrëveshja u nënshkrua më 4 Prill në Beograd, teksa fillimisht operatorët e telekomunikacionit do të kenë të drejtë të aplikojnë shtesa mbi këto tarifa. Sipas të dhënave të AKEP, tre operatorët celularë që operojnë në tregun vendas kanë dorëzuar tarifat që do të zbatojnë duke nisur nga dita e hënë shkruan A2News.

Qytetarët shqiptarë pritet të jenë ndër përfituesit më të mëdhenj nga kjo marrëveshje, për shkak të përdorimit më të lartë të “roaming” krahasuar me shtetasit e rajonit që vijnë në Shqipëri, por edhe për shkak të kostove të larta që tashmë kursejnë.

Sipas AKEP, kompanitë shqiptare paguan rreth 550 mijë euro për “roaming” ndaj operatorëve rajonalë, ndërsa çmimi që paguajnë përdoruesit shqiptarë është edhe më i lartë.

Në bazë të marrëveshjes, tarifat “roaming” me pakicë nuk duhet të jenë më të larta se 0.19 euro/minutë, 0.06 euro/SMS dhe 0.18 euro/MB. Kjo përkthehet në një kursim deri në 10 herë të qytetarëve shqiptarë.