“Netanyahu ka kërkuar nga Trumpi mbështetje për princin saudit”

Netanyahu pretendohet se ka këshilluar Trumpin që të “ruaj marrëdhëniet me princin Mohammad Bin Salman”

Gazeta amerikane “Washington Post” botoi një tekst në të cilën theksohet se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pas rastit të vrasjes së gazetarit saudit dhe kolumnist i “Washington Post”, Jamal Khashoggi, ka pasur kontakt me presidentin amerikan, Donald Trump, ku prej tij ka kërkuar që t’i ofrojë mbështetje princit saudit, Mohammad Bin Salman, raporton Anadolu Agency (AA).

Netanyahu pretendohet se ka këshilluar Trumpin që të “ruaj marrëdhëniet me princin Mohammad Bin Salman”.

Në tekstin, në të cilin i referohen disa zyrtarëve anonim amerikanë, shtohet se vetë Netanyahu i ka dhënë mbështetje Bin Selmanit.

Burimi i njëjtë thekson se disa vende të Lindjes së Mesme, të Gjirit dhe Izraeli “i ofruan mbështetje” princit saudit pasi ishte cak i kritikave pas rastit të vrasjes së Khashoggit në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Në tekstin e njëjtë më tej shtohet se edhe presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi, po ashtu ka kërkuar nga presidenti amerikan që të mbështesë princin Bil Selman.

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post” dhe bashkëpunëtor i gazetës “Al Watan”, që paraqet platformën kryesore të reformistëve sauditë, Jamal Khashoggi më 2 tetor u zhduk pasi hyri në kompleksin e konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.

Hetimi mbi vrasjen edhe më tej është në vazhdim, ndërsa detyra kryesore e hetuesve është gjetja e mbetjeve mortore të Khashoggit dhe vërtetimi i përgjegjësve për vrasjen.

Pas pohimeve disaditore se nuk dinë asgjë mbi fatin e Khashoggit, autoritetet e Arabisë Saudite njoftuan se Khashoggi është vrarë gjatë grindjeve të pretenduara në konsullatë.