Nënshkruhet marrëveshja ushtarake Greqi–SHBA

Pompeo: Do investojnë kompani të mëdha amerikane

Athina dhe Uashingtoni kanë “vulosur” partneritetin e tyre strategjik, me nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Në fakt, një marrëveshje e tillë ekzistonte edhe më parë, por kjo e tanishmja është riaktualizuar dhe përfshin jo vetëm fushën ushtarake, por shtrihet dhe në ekonomi, tregti, energji dhe luftimin e terrorizmit.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, që erdhi enkas për këtë firmë në Athinë.

Numri një i diplomacisë amerikane tha se kompani të mëdha nga shtetet e bashkuara janë të gatshme të vijnë e të investojnë në Greqi, duke krijuar vende të reja pune.

Athina vlerëson se bashkëpunimi i ngushtë me Uashingtonin, i jep më shumë siguri në përplasjet me Turqinë, por edhe ndihmon rritjen e rolit të Greqisë në rajon.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje dëshmon që Greqia e ka bërë përzgjedhjen e vet, sa i përket forcimit të aleancës me Uashingtonin. Është një përzgjedhje e cila gëzon edhe një mbështetje të gjerë politike. Marrëveshja u nënshkrua sot nga qeveria e Demokracisë së Re, por drafti i saj u përgatit nga SYRIZA, pak para se të largohej nga pushteti.

Por manifestimet antiamerikane nuk kanë munguar as gjatë kësaj dite. Partia komuniste dhe grupime të tjera të majta, protestuan kundër nënshkrimit të marrëveshjes, por edhe kundër pranisë së Pompeos në Athinë.