Shqipëria dhe Italia kanë firmosur këtë të martë marrëveshjen e pensioneve mes dy vendeve. Kanë qenë ministrat e Jashtëm Igli Hasani dhe Antonio Tajani, të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen në Romë.
Ka qenë kryeministri i vendit Edi Rama ai i cili ka ndarë në rrjetin social facebook pamjet nga momenti i finalizimit të marrëveshjes.
Kreu i qeverisë shkruan se me njohjen e Sigurimeve Shoqërore mes dy vendeve, janë mbi gjysmë milionë emigrantë shqiptarë në Itali të cilët do të përfitojnë.
“Nënshkrimi i Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, një arritje e shumëpritur për mbi 500 mijë shqiptarë në vendin e dashur fqinj, falë një përpjekjeje këmbëngulëse prej thuajse një dekade, në kërkim të këtij rezultati që dukej i pamundur për vetë peshën financiare të një marrëveshjeje të tillë”, shkroi Rama.
Marrëveshja e dakordësuar bazohet në parimin e trajtimit të barabartë. Ajo mbulon pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet dhe shtatzënitë si edhe sigurimin për papunësinë.
Hartimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë një kërkesë e hershme e komunitetit shqiptar që jeton në Itali.
Shqipëria ka nënshkruar rreth 15 marrëveshja për njohjen e sigurimeve, duke filluar me Turqinë, në vitin 2005,e duke vijuar me një numër shtetesh të tjera si me Kosovën, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Gjermaninë, etj.