Negociatat për aeroportin e Vlorës, Rama: Duam maksimumin për interesin publik

Qeveria shqiptare po vijon negociatat për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, të cilat Kryeministri Edi Rama i cilësoi të vështira, pasi siç tha ai, “duam të marrim maksimumin për interesin publik dhe të shtetit”.

Qeveria shqiptare po vijon negociatat për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, të cilat Kryeministri Edi Rama i cilësoi të vështira, pasi siç tha ai, “duam të marrim maksimumin për interesin publik dhe të shtetit”,raporton ATSH.

Në takimin e zhvilluar në Vlorë për sezonin turistik, Kryeministri u shpreh se “jemi në proces negociatash për ndërtimin e aeroportit të Vlorës”.

“Ndryshe nga çfarë u propagandua nuk ishte një pazar i mbyllur, por është një negociatë e vështirë, sepse ne duam të marrim maksimumin për interesin publik dhe të shtetit”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh besimplotë se do ta mbyllim negociatën dhe do të fillojmë edhe punën për të ndërtuar aeroportin e Vlorës.

“Pastaj aty do të fillojë një sfidë tjetër për Vlorën, sepse ndryshimi i flukseve do të jetë shumë i madh dhe nevojat e jashtëzakonshme për të rritur cilësinë e shërbimeve po ashtu. Në mbi 20 vjet këtu janë bërë investime të gabuara, pasi nuk kemi hotele të mirëfillta dhe vila të mirëfillta turistike, kemi shumë pak”, – tha Rama.