Në Ulqin u mbajt konferenca për përfaqësimin e pakicës shqiptare

“Çelësi i përparimit të një shteti qëndron tek integrimi i pakicave nacionale në shoqëri”,- tha drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike nga Beogradi, Dushan Janiq në konferencën për përfaqësimin e pakicës shqiptare në administratën e Malit të Zi.

Në organizim të Qendrës Rajonale për Art, Kulturë dhe Media Elita Plus, në Ulqin u mbajt Konferenca“Përfaqësimi i pakicës shqiptare në organet e administratës” – gjendja aktuale dhe sfidat. Punimet e Konferencës u përcollën me interes nga të ftuarit, politikanë, intelektualë , përfaqësues të sektorit civil gazetarë etj.

Në konferencë morën pjesë Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi Shkëlqesia e tij Ridi Kurtezi dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës Skender Durmishi.

Fillimisht të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Ulqinit Loro Nrekiq, Ministri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pakicave Mehmet Zenka dhe drejtori i forumit për marrëdhënie etnike nga Beogradi, Dushan Janiq.Panelistët, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, Mirjeta Gjoni zv/sekretare për administratë dhe veprimtari shoqërore në Komunën e Ulqinit, Svetlana Vukoviq drejtoreshë në Drejtorinë për Kuadro të Malit të Zi, Faik Nika , Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Drita Llolla nga OJQ “Unë Veproj” nga këndvështrimet e tyre iu qasën temës së Konferencës duke sjellë të dhëna , fakte dhe statistika rreth kësaj çështje, raporton TRT.

Ishte konstatim i përgjithshëm që kjo çështje është me interes të veçantë dhe kërkon përkushtim permanent nga organet shtetërore , respektivisht nga shteti i cili aderon drejtë integrimit në Bashkimin Evropian. Krahas kësaj në mënyrë të tërthortë u përmend dhe çështja e emigrimit të rinjve shqiptarë. Me interes ishin dhe pyetjet e parashtruara nga intelektualë të fushave të ndryshme drejtuar panelistëve. Vëmendje të veçantë zgjojë diskutimi i analistit nga Serbia, Dushan Janjiq, i cili tha se çelësi kryesor i zhvillimit të një shoqërie qëndron tek integrimi i pakicave nacionale:

Dushan Janjiq: “Një shoqëri që është e integruar dhe e cila plotëson nevojat e qytetarëve të saj, përfshirë këtu edhe pakicat ajo mund të llogarisë edhe në lojalitet. Secili shtet synon të ketë lojalitetin e të gjithë qytetarëve. Kjo besueshmëri nuk mund të fitohet me dhunë por me integrim multi-kulturor. Thuaj se të gjitha vendet e Ballkanit janë të përbëra nga një mozaik popujsh dhe besimesh. Nëse përpiqeni t’i përçani këto popuj dhe besime, atëherë mund të nxisni konflikte dhe shpenzime të mëdha në shoqëri. Kjo do të thoshte edhe ngecje në zhvillim sepse askush nuk do te investonte në ato vende. Vendet e Ballkanit nuk kanë përvojë të mirë sa i përket respektimit të drejtave të pakicave. Në kohët e kaluara kemi pasur edhe diskriminime, andaj herë pas here duhet vendosur masa të veçanta që pakicat në ato vende mos të ndihen si qytetarë të rendit të dytë”, tha analisti dhe politikologu, Dushan Janjiq.