“Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të koronavirusit”

Ministrja Manastirliu konfirmoi se aktualisht nuk ka asnjë rast të koronavirusit në Shqipëri

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ka konfirmuar se aktualisht nuk ka asnjë rast të koronavirusit në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Manastirliu inspektoi Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, për masat e marra nga institucionet e vendit për parandalimin e depërtimit të koronavirusit të ri.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kontrolluar në Aeroportin e Rinasit 17 pasagjerë shqiptarë dhe te huaj që kanë udhëtuar nga Pekini dhe Shangai drejt Tiranës, nëpërmjet aeroporteve të tjera. Pas kontrollit të kryer nga njësia e shëndetësisë në aeroport, gjendja e tyre paraqitet e mirë. Ndërkohë që një analizë e kryer në Institutin e Shëndetit Publik tek një grua e cila kishte udhëtuar nga Kina 10 ditë më parë, rezultoi negative”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Manastirliu ka theksuar se janë marrë masa në pikat kufitare portuale dhe tokësore me ekipe mjekësore që janë në monitorim të situatës dhe sipas saj raportojnë në kohë reale për çdo rast.

Sipas njoftimit të ministrisë, Instituti i Shëndetit Publik të Shqipërisë (ISHP) ka një laborator të standardizuar në lidhje me vendosjen e diagnozës së koronaviruseve dhe infeksioneve virale dhe stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike.

Kujtojmë se institucionet shëndetësore të Shqipërisë kanë shtuar masat higjieno-sanitare në vend, është trajnuar stafi i njësive të shëndetësisë në pikat kufitare dhe janë riaktivizuar protokollet përkatëse për situata të tilla.

Koronavirusi i ri (2019-nCoV) për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan në rajonin Hubei të Kinës. Simptomat e para të virusit nCoV janë me temperaturë të lartë, dhimbje fyti, kollë, vështirësi në frymëmarrje dhe diarre, ndërsa në fazën e mëpasshme të avancuar shkakton penumoni dhe pamjaftueshmëri të veshkave dhe në përfundim mund të çojë në vdekje.

Në Kinë, 132 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e epidemisë së koronavirusit të tipit të ri, ndërsa mijëra persona janë infektuar.