Në Evropë gjatë vitit 2017 është rritur numri i sulmeve terroriste

Sipas raportit “Trendi dhe Gjendja e Terrorizmit në BE” të publikuar nga Europol, në vitin 2017 në shtetet e BE-së janë regjistruar 205 sulme terroriste të parandaluara apo të realizuara, ku kanë humbur jetën 68 persona.

Organizata Policore Evropiane (Europol) ka njoftuar se sulmet terroriste në Evropë, të cilat gjatë viteve të kaluara ishin në rënie, në vitin 2017 janë rritur për 45 për qind, por që përkundër kësaj numri i të vdekurve nga sulmet është zvogëluar për gjysmë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit “Trendi dhe Gjendja e Terrorizmit në BE” të publikuar nga Europol, në vitin 2017 në shtetet e BE-së janë regjistruar 205 sulme terroriste të parandaluara apo të realizuara. Në raport njoftohet se në këto sulme kanë humbur jetën 68 persona, kurse 844 të tjerë janë plagosur.

Më shumë se gjysma e këtyre sulmeve janë të kryera në 9 shtete, me 107 sulme të raportuara janë kryer në Mbretërinë e Bashkuar, kurse në Francë janë regjistruar 54 sulme, në Spanjë 16, në Itali 14, në Greqi 8, në Gjermani dhe Belgjikë nga dy dhe në Finlandë e Suedi nga një sulm.

Në vitin 2017 në lidhje me sulmet terroriste janë arrestuar 975 persona, kurse 438 prej tyre janë të grupmoshës 20-25 vjeçare. 411 prej këtyre arrestimeve kanë ndodhur në Francë, kurse 168 në Britani të Madhe, 91 në Spanjë, 58 në Gjermani, 50 në Belgjikë, 48 në Austri, 39 në Itali, 35 në Holandë, 17 në Danimarkë, 15 në Greqi, 14 në Bullgari, 11 në Irlandë, 9 në Finlandë, nga dy në Hungari, Poloni dhe Rumani, si dhe nga një në Republikën Çeke, Portugali dhe Suedi.

“Evropa vazhdon të jetë objektiv i terrorizmit. Terrorizmi është kërcënim për gjithë botën dhe njerëzimin. Për këtë arsye duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku”, thuhet në raport.

Duke u bërë e ditur se shumica e sulmeve (67 për qind) janë kryer nga separatistët, në raport thuhet se 16 për qind të sulmeve janë të lidhura me DEASH-in, 12 me grupet majtiste, 2 për qind nga grupet ekstremiste djathtiste dhe 3 për qind nga personat e paidentifikuara.

Në raport thuhet se sulmet e DEASH-it në krahasim me vitin paraprak janë rritur më shumë se gjysma dhe se shumica e sulmeve janë kryer në mënyrë të vetme dhe amatore.