Ndryshime në marrëveshjen për njohjen e patentave në Itali

Qeveria italiane ka kërkuar ndryshime në marrëveshjen për njohjen e patentave, të miratuar vitin e kaluar.

Përmes një note verbale, shteti italian kërkon zbatimin e rregullores së transferimit të të dhënave personale ndërmjet autoriteteve kompetente në Shqipëri dhe Itali për çështjen e njohjes reciproke të lejeve të drejtimit për qëllime konvertimi.

Ndërkohë që, qeveria shqiptare ka miratuar ndryshimet, që janë publikuar edhe në Fletoren Zyrtare.

Marrëveshja ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane “Mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me qëllim konvertimi” u nënshkruar në mars të vitit të kaluar, teksa nënshkrimi i saj pasohet nga përfundimi i proceduarve të brendshme ligjore të secilës palë, deri në botimin në Fletoren Zyrtare.

Këtu përfshihet edhe miratimi nga parlamenti italian, në mënyrë që ajo të hyjë në fuqi. Deri më tani, ende ky parlament nuk e ka miratuar marrëveshjen, cka pengon hyrjen në fuqi të saj, shkruan Scan.

Një procedurë e ngjashme u ndoq edhe me njohjen e patentave me Greqinë, teksa u desh më shumë se 1 vit e gjysmë që marrëveshja për njohjen e patentave shqiptare në Greqi të miratohej nga parlamenti grek, për t’i hapur rrugën zbatimit të saj.

Aktualisht, Shqipëria ka marrëveshje të ngjashme me disa shtete, teksa përpjekje po bëhen edhe me Gjermaninë.