Ndjekje penale për evazion/ Braçe: Abuzime edhe nga kompanitë e mëdha

Në sektorin e karburantëve, paligjshmëria ka kapur kufijtë e krimit penal.

Denoncimi erdhi nga zv.kryeministri, i cili paralajmëroi ndëshkime ligjore për administratorët e karburantëve dhe kasave fiskale.

”Diferenca në litra në çdo pompë do t’i nënshtrohet detyrimeve fiskale litër për litër deri në qindarkën e fundit. 2 persona kanë rënë në pranga.” deklaron Braçe.

Llogaritë e 22 kompanive të mëdha, të cilat kanë akumuluar borxhe ndaj detyrimeve fiskale janë bllokuar. Disa kanë reflektuar shpejt dhe kanë shlyer detyrimet, ndërsa pjesa më e madhe pret shpëtimin nga miqtë dhe shokët me pushtet, për të cilët zv. kryeministri ka një mesazh- “Harxhoni kohë kot s’do ju ndihmojë askush.”

Numri dy i qeverisë flet me emra konkret dhe për kërcënuesit.

“ I kujtoj administratorit të Tajvanit dhe Azulit në Dhërmi bëni kujdes, çdo kërcënim do konsiderohet si krim.” tha ai.

Drejtuesi i operacionit kundër informalitetit, nuk mohon se kërcënimet kanë mbërritur edhe në adresë të tij.

“Nuk dëgjoj nga ai vesh unë. Kush më merr dhe kush më shkruan.” deklaroi Braçe.

Kryeopozitarit6, i cili akuzon se pas tenderit të kasave fiskale fshihet një aferë korruptive deri në përmasa mafioze, i tregoi derën e Prokurorisë.

“Lulzim Basha të mos ketë frikë. Zyrat e Prokurorisë janë hapur, mund të drejtohet atje me akuzë konkrete përkundrejt çdo zyrtari, kryeministri, zv.kryeministri, familjarëve, kë ka gjykuar ai dhe natyrisht të marrë përgjigjen nga organet kopetente shtetërore. Të njëjtën thirrje kam edhe për çdo qytetar.” tha ai.

Drejtësisë nuk do i shpëtojë askush. As zyrtarët socialistë. Rasti më i fundit ishte kryebashkiaku Vangjush Dako, të cilin SHBA i ndaloi hyrjen në Amerikë.

“Duhet të hetohet dhe të gjykohet siç e parashikon ligji. Askush nuk mund t’i shmanget hetimit dhe gjykimit. Ne as kemi ndërmend të ndërhyjmë në këtë proces.” përfundoi Braçe