Nderohen viktimat e tërmeteve në Türkiye dhe Siri në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Sesioni i 52-të i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (OKB) filloi me një minutë heshtje për viktimat e tërmeteve katastrofike që goditën Türkiyen dhe Sirinë në fillim të muajit, transmeton Anadolu.

Në hapjen e sesionit të 52-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i cili filloi në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, presidenti i radhës për vitin 2023 i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ambasadori çek Vaclav Balek, Komisari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ministri i Jashtëm zviceran Ignazio Cassis, ambasadori turk në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, Güven Begeç, dhe përfaqësues të vendeve të tjera dhe institucioneve të OKB-së.

Seanca filloi me një minutë heshtje për viktimat që humbën jetën në Türkiye dhe Siri nga tërmetet që ndodhën më 6 shkurt.

Dita e parë e këshillit do të vazhdojë me fjalët hapëse dhe fjalimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres.

Sesioni i 52-të, i kryesuar nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Republikës Çeke në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, ambasadori Balek, do të përfundojë më 4 prill.