NBA, Manu Ginobili i jep fund karrierës 23-vjeçare

Krerët e Shoqatës Kombëtare të Basketbollit (NBA) e përshkruan yllin e San Antonio Spurs, Manu Ginobili si një “pionier” të këtij sporti, pasi ky i fundit njoftoi tërheqjen në fund të një karriere 23-vjeçare.

Krerët e Shoqatës Kombëtare të Basketbollit (NBA) e përshkruan yllin e San Antonio Spurs, Manu Ginobili si një “pionier” të këtij sporti, pasi ky i fundit njoftoi tërheqjen në fund të një karriere 23-vjeçare,raporton Top Channel.

41-vjeçari argjentinas, i konsideruar gjerësisht si basketbollisti i huaj më i suksesshëm në historinë e NBA-së, është i vetmi lojtar joamerikan që ka fituar 4 kampionate dhe një medalje të artë olimpike. Ai është shpallur gjithashtu lojtari më i mirë i “All Star Games” në vitet 2005 dhe 2011, ndërsa “Lojtari i 6 më i mirë i vitit” në 2008-n.

“Ishte një udhëtim i mrekullueshëm, – shkroi ai në Twitter. – Përtej edhe ëndrrave të mia më të çmendura”.

Ginobili e nisi karrierën si profesionist në vitin 1995 në Argjentinë, përpara se të zhvendosej në Itali.

Ai u “peshkua” nga Spursat si zgjedhja e 57 në “lotarinë” e vitit 1999 të NBA-së, por nuk iu bashkua ekipit teksan deri në vitin 2002, kohë gjatë së cilës luajti në Itali.

Ai iu bashkua Spursave në sezonin 2002-2003, duke nisur kështu edhe aventurën amerikane e cila do t’i jepte atij kurorën e kampionit plot 4 herë mes viteve 2003 dhe 2014, ndërkohë që ndihmoi Argjentinën të fitonte medaljen e artë olimpike në Athinë, në vitin 2004.

Ai ka luajtur 1.057 ndeshje të sezoneve të rregullta, si dhe 218 ndeshje “play off” me Spursat, duke u renditur kështu në pesëshen kryesore të të gjitha kohërave për ekipin teksan, me 14.043 pikë, 4.001 asiste dhe 1.392 topa të vjedhur.

“Manu Ginobili është pionieri që ndihmoi në globalizimin e NBA-së”, tha komisioneri i NBA, Adam Silver. “Ai është një prej ambasadorëve më të mëdhenj të basketbollit, i cili beson në fuqinë e sportit për të ndryshuar jetët njerëzore. Për 16 vite, ne kemi qenë me fat të shihnim një legjendë të garonte në nivelet më të larta. Faleminderit Manu, për një karrierë që frymëzoi miliona njerëz në mbarë botën”.

Homazhe për karrierën e tij vërshuan lumë të hënën, përfshi edhe atë të ish-kampionit të Los Angeles Lakers, Kobe Bryant, i cili e përshkroi atë si një “kampion të vërtetë”.

Edhe 3 herë kampioni i NBA-së, LeBron James reagoi, teksa tha se “ishte kënaqësi që të luante kundër tij përgjatë viteve”.