Vetëm dy javë pasi njoftoi se po merrte në konsideratë një marrëveshje për të privatizuar prodhuesin e makinave elektrike Tesla, shefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Elon Musk ka hequr dorë nga ky plan.
Musk tha më pas se i kishte shpjeguar bordit drejtues se, besonte që rruga më e mirë për t’u përvijuar për Teslën ishte të mbeturit një kompani publike, e me këtë sugjerim ranë dakord të gjithë.
Musk, i cili zotëron një të pestën e aksioneve të kompanisë, tha se kishte folur me aksionerët dhe bankat më të mëdha për të konsideruar privatizimin, por të gjithë arritën të kuptonin se gjëja më e mirë ishte të mos ndodhte kjo.
Më herët gjatë këtij muaji, Elon Musk tronditi investitorët kur njoftoi në “Twitter” se kishte fondet e mjaftueshme për ta privatizuar Teslën për një vlerë prej 72 miliardë dollarësh. Më vonë u mësua se ai nuk kishte arritur të përmbyllte një marrëveshje me fondin e pasurisë sovrane të Arabisë Saudite, ndërsa investitorët e pakënaqur ngritën edhe një padi ndaj tij, pas lajmit.
Padia ndaj tij vijon, pavarësisht anulimit të planit të Musk për privatizimin e kompanisë, pasi hetuesit e Komisionit të Letrave me vlerë dhe Këmbimit në SHBA duan të shohin nëse “cicërima” në “Twitter” kishte shkelur ligjet për letrat me vlerë.
Tesla është përballur me presione gjithnjë e në rritje financiare këtë vit, teksa projekton të prodhojë më shumë automjete të “Modelit 3”. Më 1 gusht, ndërkohë që Tesla raportoi një tjetër humbje rekord, Musk tha se priste që kompania të dilte me fitim në gjysmën e dytë të vitit 2018, e në çdo tremujor në vijim. Por, kjo vështirë se mund të ndodhë.