Kreu i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Fakultetit të Shkencave Ekonomike dhe Administrative në Universitetin Kocaeli, Prof. Dr. İrfan Kaya Ülger tha se janë në pritje të një periudhe ku Turqia dhe Bashkimi Evropian do t’i ridefinojnë marrëdhëniet e tyre.
Sipas tij, “tashmë ka një Evropë që diferencohet brenda saj dhe në këtë Evropë që diferencohet duke bërë një përkufizim të ri, Turqia do ta zë vendin e saj në mënyrë të fuqishme”.
Kanë kaluar 62 vite që nga viti 1959 kur Turqia aplikoi për anëtarësim në BE. Përpjekjet e shumë qeverive turke me kalimin e viteve, ende nuk kanë dhënë rezultate në lidhje me integrimin e plotë të Turqisë në BE.
Negociatat për anëtarësim të plotë që filluan në vitin 2004, pas tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 pothuajse janë vendosur në “frigorifer”. Turqia, demokracia e së cilës ka tejkaluar momente të vështira, në 5 vitet e fundit është duke bërë përpjekje intensive për shkrirjen e akullit.
Së fundmi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në bisedën që zhvilloi me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nënvizoi se të ardhmen e Turqisë e sheh në Evropë, gjë që vlerësohet si një hap i rëndësishëm.
Ndërsa pala e BE-së, është duke kërkuar të ardhmen nën hijen e procesit të largimit të Britanisë së Madhe nga Unioni dhe krizës së refugjatëve në 4 vitet e fundit.
Për marrëdhëniet Turqi-BE që mundohen të rikthehen në normale, Prof. Dr. İrfan Kaya Ülger, i cili gjithashtu është ekspert i BE-së dhe Ballkanit, iu përgjigj pyetjeve të Anadolu Agency (AA).
“Turqia pa marrë parasysh sa shtrenjtë të kushtojë ka mbështetur çështjen e Qipros”
Ülger thotë se Turqia në dhjetor të vitit 1999 në Samitin e Helsinkit ishte shpallur kandidaturën për në BE. “Kryeministri i atëhershëm Bülent Ecevit tha se “Nuk do të pranojmë parakushte, por më pas për fillimin e negociatave, Turqisë iu kërkua të vendosë qëndrim në favor të linjës dhe politikës konstruktive në Qipro”, tha ai duke folur për fazën e hershme të kandidaturës së Turqisë në BE.
Ai rikujton se mosmarrëveshja me Greqinë në Egje, në rast të mosarritjes së zgjidhjes brenda 5 viteve, ishte propozuar që të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilën sipas tij, Turqia e kishte pranuar relativisht. “Por, më pas e shohim se Greqia nuk ka filluar një iniciativë të tillë dhe negociatat filluan më 3 tetor 2005”, tha Ülger.
“Natyrisht një vit kaloi me procesin e skanimit. Deri atëherë publiku në Turqi në mënyrë të fuqishme ishte në pritje pozitive për aderim në BE. Ishim dëshmitarë që kjo u shkel 1-2 vite pas fillimit të negociatave”, potencoi ai.
Sipas tij, Turqia në vitin 2006 u përball me surprizën e parë. “Për hapjen e protokollit të parë ndaj Administratës Qipriote Greke, duke u justifikuar në mosmarrëveshjen midis Turqisë dhe BE-së në 2006, tetë nga 35 kapitujt negociues janë bllokuar nga Këshilli i Ministrave të BE-së. Më pas shohim që gjatë periudhës së ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy edhe 5 kapituj negociues bllokohen dhe në 2009 nga Administrata Qipriote Greke bllokohen 6 kapituj”, shpjegon ai.
Ülger thotë se deri më tani nga 35 kapituj të negociatave të parashikuara në dokumentin kornizë të negociatave janë hapur 16 kapituj ndërsa 14 ende janë të bllokuar.
“Kapitullin e fundit e hapëm në vitin 2016. Ligjërisht, ‘de jure’, negociatat vazhdojnë ndërsa ‘de-fakto’ janë ndaluar”, tha akademiku turk.
Duke folur për shkakun kryesor të ngrirjes së marrëdhënieve, ai thekson se:
“Arsyeja kryesore në të vërtetë, një nga arsyet më të rëndësishme, është çështja e Qipros. Tashmë Qipron mund ta shohim edhe në aspektin pozitiv dhe atë negativ. Nga njëra anë Turqia mbrojti të drejtat dhe interesat. Intervenoi këtu për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e bashkatdhetarëve në Qipro. Atë periudhë të gjithë përfshirë Blloku Lindor, Blloku Perëndimor, Lëvizjes së të painkuadruarve, bota arabe, bota islame kundërshtuan intervenimin e Turqisë. Në këtë kuadër Turqia u njoh me përsosuritë e diplomacisë dhe pa marrë parasysh sa shtrenjtë të kushtojë ka mbështetur çështjen e Qipros. Tashmë në procesin e BE-së, përsëri shohim se çështja e Qipros na del përsëri përpara”, thekson Ülger.
“E thash në këtë kuptim; Republika e Qipros ishte anëtare e Lëvizjes së të painkuadruarve, e krijuar me Konferencën Bandung, një lëvizje jashtë bllokut Lindor dhe Perëndimor. Gjithashtu edhe një pjesë e madhe e vendeve të botës arabe ishin anëtarë të lëvizjes. Lëvizja në ato data bëri deklaratë. Sigurisht që kishte shembuj individual. Turqia në atë kohë ishte më e largët me botën arabe, Lindjen e Mesme dhe botën islame. Pas vitit 1980 u hap në këto toka”, shpjegoi ai në lidhje me atë se cilat vende arabe kanë kundërshtuar intervenimin e Turqisë.
“Në Turqi janë dy pikëpamje rreth BE-së”
Ai thekson se BE-ja, deri në kohën e afërt ka funksionuar si një qendër tërheqëse, por tashmë për arsye se perspektiva e BE-së është e pasigurt, edhe në vendet e BE-së kanë një pikëpamje negative.
“Tani në Turqi janë dy pikëpamje rreth BE-së. Njëra është se nëse do të aderojmë në BE të gjitha problemet do të na zgjidhen dhe në nivelin e shteteve të nivelit të lartë të Perëndimit do të arrijmë duke u anëtarësuar në BE. Ndërsa pikëpamja e dytë është një perspektivë që BE-në e sheh si kolonialiste, si versioni i ri i imperializmit. Sipas meje, vullneti i Turqisë për t’u bërë pjesë e BE-së është një vendim i drejtë”, tha ai.
“Turqia ka bërë gjithçka së tepërmi për t’u bërë pjesë”
Në lidhje me bisedën e presidentit Erdoğan me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nëpërmjet video-konferencës, ai thotë se Turqia ka tejkaluar detyrimin e saj për të përmbushur bazën ligjore të BE-së, ndryshe e njohur edhe si “Acquis Communautaire”.
Bazën ligjore e kishin përmbushur gjithashtu 10 shtete që iu bashkëngjitën BE-së në vitin 2004, Bullgaria dhe Rumania në vitin 2007 dhe Kroacia në vitin 2013.
“Turqia për sa i përket pajtueshmërisë legjislative, që nga Unioni Doganor ka arritur një distancë të madhe deri më tani. Pasqyrimet pozitive të kësaj i kemi vërejtur në disa sektorë. Natyrisht disa sektorë, për shkak të problemeve të brendshme të Turqisë, shkuan mbrapsht. Në 2016 ndodhi tentativa për grusht shteti. Pas kësaj përpjekjeje, disa liri u kufizuan nën gjendjen e jashtëzakonshme, për të luftuar rebelimin kundër shtetit pa prekur thelbin. Këtu hasim kritikat e Evropës”, tha Ülger duke shtuar se:
“Këto ndoshta janë tema që nuk janë vitale dhe që mund të tejkalohen lehtë. Para nesh kemi 3 opsione në lidhje me marrëdhëniet Turqi-BE. E para; të vendoset një qëndrim, vullnet se ‘Turqisë i janë bërë shumë padrejtësi’ dhe së shpejti të hapen kapitujt që kanë mbetur. E dyta; ‘Të ndërpresim të gjitha lidhjet tona me Evropën dhe të hapet drejt lindjes si një shtet euroaziatik me Rusinë, Kinën dhe Iranin’. Ndërsa opsioni i tretë është ridefinimi i marrëdhënieve me BE-në duke marrë parasysh edhe të kaluarën”.
“Sipas vlerësimeve të mia, pas kësaj, nuk e di se kur mund të ndodhë por në periudhën e ardhshme, mundësia më e fuqishme në të ardhmen është ridefinimi i marrëdhënieve”, thotë ai.
“Turqia është një vend që mund të marrë vendin e Britanisë”
Në lidhje me pyetjen se si duhen qytetarët ta vlerësojnë gjendjen në lidhje me marrëdhëniet Turqi-BE, ai thotë se është sikur “baticë”, duke shtuar se ndonjëherë ka pasur pikëpamje pozitive, ndonjëherë negative.
“BE në fakt është vënia në praktikë të utopisë. Ashtu si Unioni Turk, Unioni Islam, Izraeli ka një projekt, Greqia ka një projekt utopik, Megali Idea, serbët kanë… Në historinë e Evropës gjendemi edhe ne dhe nuk është gabim që Turqia të jetë pjesë e integrimit evropian”, tha ai.
“Në rast se Turqia merr pjesë në BE, me dinamizmin aktual, me një popullsi potenciale, nëse do të kishte mundësi që të aderojë si një anëtar i plotë në Evropë me shpejtësi, mund të mbushë boshllëkun e Britanisë, mund të marrë vendin e Britanisë”, shtoi ai.