Ministria e Jashtme e Turqisë e ka cilësuar si “të pakënaqëshëm” vendimin e gjykatës gjermane për grupin terrorist neonazist NSU, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sot gjykata në Gjermani shpalli vendimin për grupin “Nëntoka Nacional Socialiste” pas gjykimit që zgjati pesë vite për vepra të kryera mes viteve 2000-2007, përfshirë vrasjen e dhjetë personave, prej të cilëve tetë turq, sulme me bomba dhe plaçkitje të armatosura.
Gjykatësit sot dënuan të akuzuarën kryesore Beate Zschaepe me burgim të përjetshëm, ndërsa dhjetë vite burgim u caktuan për Ralf Wohlleben, dy vite e gjysmë për Andre Emminger dhe tre vite për Holger G., për ofrim ndihme dhe strehimi për grupin terrorist NSU. Ndërkaq, Carsten S., i cili pranoi veprën, u dënua me tre vite burgim.
“Fatkeqësisht, vendimi i sotëm nuk nxori në pah me të gjitha dimensionet prapavijën e vrasjeve të NSU-së, lidhjet brenda shtetit të fshehtë dhe inteligjencës dhe fajtorët e vërtetë”, thuhet në një deklaratë me shkrim të ministrisë së Jashtme turke.
“Andaj, këtë vendim e cilësojmë si të pakënaqshëm për sa i përket zbatimit të drejtësisë dhe qetësimit të ndërgjegjes publike”, thuhet në deklaratë.
Ministria theksoi se Turqia ende i mban të freskëta edhe krimet e tjera raciste ndaj turqve, përfshirë atë të vitit 1985 në Hamburg, të vitit 1992 në Mölln dhe të vitit 1993 në Solingen.
“Në kuadër të premtimit të dhënë në vitin 2012 nga kancelarja Merkel, është e rëndësishme që para drejtësisë të dorëzohen të gjithë autorët e vrasjeve të NSU-së dhe vrasjeve të pazgjidhura raciste dhe ksenofobe dhe që komunitete turk në Gjermani të ketë siguri shtetërore dhe besim në institucionet gjyqësore. Ne do të vazhdojmë të ndjekim këtë çështje edhe në fazat e ardhshme”, theksohet në deklaratën e ministrisë.
Ministria turke po ashtu ka theksuar rëndësinë që autorietetet gjermane të marrin të gjitha masat e duhura për ta luftuar racizmin në rritje në Evropë dhe për të mos lejuar përsëritjen e vrasjeve të NSU-së, të cilat, siç thuhet në deklaratë, përbënin kulminacionin e racizmit dhe ksenofobisë në Gjermani, dhe që në këtë drejtim, veçanërisht politikët dhe mediumet të veprojnë me arsye të shëndoshë dhe pa populizëm.
Ndryshe, grupi neonazist NSU është akuzuar për vrasjen e tetë emigrantëve turq, një shtetasi grek dhe të një policeje gjermane në mes viteve 2000 dhe 2007. Të gjitha vrasjet një kohë të gjatë ishin të pazgjidhura.
Grupi u zbulua në vitin 2011, kur pjesëtarët e grupit Uwe Mundlos dhe Uwe Bohnhardt vdiqën pas përpjekjes së pasuksessshme të plaçkitjes së një banke. Policia gjeti armë dhe materiale neonaziste në apartamentin e tyre.
Anëtarja e tretë Beate Zschaepe ka mohuar akuzat për vrasje duke u përpjekur që fajin t’ia hedhë dy miqve të saj të NSU-së.
Skandali i shkaktuar nga NSU ka nxitur kritika të gjera në adresë të agjencive gjermane të sigurisë, duke u akuzuar nga partitë opozitare se tolerojnë ekstremistët djathtistë dhe se nuk arrijnë të parandalojnë dhunën ndaj emigrantëve.
Deri në vitin 2011, policia dhe inteligjenca gjermane kanë hedhur poshtë çdo motiv racor të vrasjeve. Në vend të kësaj, ato trajtonin familjet e emigrantëve si të dyshuara, duke i marrë në pyetje me pretendime për lidhje me krimin e organizuar dhe drogë.
Zbulimet e kohëve të fundit tregojnë se shërbimi gjerman i kundërzbulimit BfV deri në fund të vitit 1990 kishte dhjetra informacione që kishin të bënin me të dyshuarit e NSU-së, por ata këmbëngulnin se nuk kishin njohuri për grupin neonazist NSU dhe për rolin e tij në vrasjet e dyshimta.
Shumë çështje rreth vrasjeve kanë mbetur të pazgjidhura, pasi dhjetra dosje sekrete të cilat i përkisnin inteligjencës u shkatërruan me shpejtësi pas vdekjes të Mundlos dhe Bohnhardt në vitin 2011.