Monika Kryemadhi: Asnjë reformë e parave të drogës nuk ble besimin e shqiptarëve

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tashmë e quan Reforma kufomë në Drejtësi, duke u shprehur se Edi Rama “me bekimin e disa ndërkombëtarëve mendon se mund të ketë çdo pushtet në dorë”.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tashmë e quan Reforma kufomë në Drejtësi, duke u shprehur se Edi Rama “me bekimin e disa ndërkombëtarëve mendon se mund të ketë çdo pushtet në dorë”.

“Kulaçin me helm që gatuan për shqiptarët më kot pretendojnë se do na i servirin në tavolinë si vakt të gatshëm. Shqipëria është vend sovran dhe si e tillë fatet e vendit i kanë në dorë vetë shqiptarët. Në rastin më të mirë të huajt i mirëpresim të na ndihmojnë, por jo te bëhen patericë e qeverisë së krimit e drogës. Që është pjesë e çdo raporti ndërkombëtar për zullumet e veta, por që çuditërisht vetëm disa të huaj që janë këtu nuk i lexojnë këto raporte.
Asnjë reformë e blerë dhe e shitur me paratë e drogës, asnjë kullë e re apo e vjetër e ndërtuar me këto para nuk do mund të blejë kurrë besimin e shqiptarëve, se ky vend meriton më shumë se një reformë që gatuhet me helmin e krimit dhe që na shitet si betejë parimore e atyre që moralin e vetëm e kanë tek lidhjet e ngushta me kryeministrin dhe banditët e tij”, thotë Kryemadhi në një deklaratë për mediat, raporton Top Channel.

Ajo thotë më tej se pjesa dërrmuese e politikës, duke futur këtu dhe veten, e votuan me besimin se kjo reformë do të funksiononte. “Por kë besuam realisht? Besuam Edi Ramën dhe një grusht ndërkombëtarësh që “i paguhen prurësit më të parë”, që sot në ikje e sipër na lanë veç standardeve të dyfishta në përzgjedhjen e atyre që mbeten apo ikin nga sistemi, një Shqipëri aspak më të mirë se ajo që gjetën kur erdhën këtu. Ajo që nisi si një gjueti shtrigash për orët dhe çantat e prokuroreve dhe gjykatësve, që dukej se kishin më shumë rëndësi se bandat dhe kriminelët që ende qarkullojnë të lirë me bekimin dhe sponsorizimim personal të Edi Ramës. Ajo që duhej të ishte një betejë parimore për sistemin e drejtësisë u shndërrua në betejë personale me emra të përveçëm, që as më pak e as më shumë kishin prishur pazaret e qeveritarëve dhe jo vetëm”, thotë më tej kryetarja e LSI-së.