Mocioni, i cili autorizon qeverinë për të ndërmarrë operacione matanë kufirit në Irak dhe Siri e që u miratua në seancën plenare të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë të mbajtur më 3 tetor, është zgjatur edhe për një vit.
Në vendimin e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë të publikuar në Fletoren Zyrtare, thuhet se zhvillimet që po jetohen në zonat e afërta me kufirin jugor të Turqisë dhe mjedisi i konfliktit, të cilat vazhdojnë duke u rritur, paraqesin kërcënim dhe rrezik nga aspekti i sigurisë kombëtare.
Në mocion, ku i kushtohet rëndësi e veçantë tërësisë territoriale, unitetit kombëtar dhe ruajtjes së stabilitetit të Irakut fqinj, në mes tjerash thuhet: “Vazhdimi i pranisë së elementëve të organizatave separatiste terroriste PKK dhe DAESH matanë kufirit në Irak dhe iniciativat e ndërmarra në separatizmin etnik, kërcënojnë drejtpërdrejt paqen dhe stabilitetin e rajonit si dhe sigurinë e vendit tonë”.
Në vendim gjithashtu thuhet se aktivitetet kundër Turqisë të organizatave terroriste në Siri, me në krye PKK/PYD-YPG dhe DAESH, prania e të cilave vazhdon në këtë vend, po vazhdojnë ende.
Në anën tjetër thuhet se Turqia me qëllim që armëpushimi i filluar me procesin e Astanës të shndërrohet në paqe të qëndrueshme dhe zgjidhje, mori përsipër detyrimet që në zonë e çtensionimit të shpallur brenda kufijve të Sirisë ti japë fund aktiviteteve terroriste dhe të vendosë paqe, stabilitet dhe siguri në këtë rajon./TRT