Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Liberman, ka falënderuar presidentin amerikan Donald Trump për sanksionet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë filluar t’i zbatojnë ndaj Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një postim në rrjetin social Twitter në lidhje me pjesën e dytë të sanksioneve ndaj Iranit, të cilat hynë në fuqi nga dita e sotme, Liberman e ka cilësuar si “të guximshëm” këtë hap të presidentit Trump, duke thënë se Lindja e Mesme e ka pritur këtë vendim.
“Në një lëvizje të vetme, SHBA i dha goditje kritike vendosjes së Iranit në Siri, Liban, Gaza, Irak dhe Jemen. Presidenti Trump, e bëtë përsëri. Faleminderit”, ka shkruar ministri izraelit.
Javën e kaluar, edhe kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu falënderoi Trumpin për pjesën e dytë të sanksioneve ndaj Iranit.
Trump më 8 maj njoftoi tërheqjen e vendit të tij nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe më 7 gusht vendosi zyrtarisht në zbatim paketën e sanksioneve që pengon qasjen e Iranit në dollarin amerikan, shitjen e obligacioneve shtetërore, tregtinë me ar dhe minerale të tjera të vlefshme dhe me çelik, alumin dhe thëngjill dhe importin e avionëve të pasagjerëve dhe pjesëve të tyre.
Pas mbushjes së periudhës prej 180 ditëshe, paketa e dytë e sanksioneve të SHBA-së ndaj Iranit hyri në fuqi sot. Që nga dita e sotme, Kompania Nacionale e Naftës së Iranit, Kompania e Tregtisë së Naftës së Iranit dhe Kompania Nacionale Tanker do të përballen me kufizime. Shitjet e naftës dhe prodhimeve të saj nga Irani, ekonomia e të cilit në masë të madhe varet nga nafta, do të jenë subjekt i sanksioneve.