Ministri i jashtëm turk Çavuşoğlu takohet me kryeministrin japonez Abe

Kryeministri i Japonisë, Abe, shprehu falënderime ndaj Turqisë për përpjekjet e treguara në lirimin e gazetarit japonez Jumpei Yasuda i cili mbahej prej 3 vitesh peng në Siri

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, shprehu falënderime ndaj Turqisë për përpjekjet e treguara në lirimin e gazetarit japonez Jumpei Yasuda i cili mbahej prej 3 vitesh peng në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili ndodhet në Tokio në kuadër të vizitës së tij në Japoni ka zhvilluar një takim me kryeministrin japonez, Shinzo Abe.

Kryeministri japonez Abe ka shprehur falënderime ndaj Qeverisë së Turqisë kryesisht presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrit Çavuşoğlu në lidhje me gazetarin japonez Jumpei Yasuda i cili u lirua me ndihmën e Turqisë pasi ai mbahej prej 3 vitesh peng në Siri.

Ndër të tjera Abe ka thënë se “Dëshirojmë të përparojmë në çdo fushë, në çdo nivel marrëdhëniet me Turqinë”.

Ndërsa ministri turk Çavuşoğlu shprehu kënaqësinë për rikthimin shëndoshë e mirë të gazetarit Yasuda në shtëpi.

“Me këtë vizitë kam zhvilluar bisedime shumë frytdhënëse për të përparuar më tej marrëdhëniet tona të cilat janë në një nivel shumë të mirë”, tha Çavuşoğlu duke bërë të ditur se është i kënaqur që të dyja palët kanë vullnetin për të përparuar më tej marrëdhëniet.

Çavuşoğlu në kuadër të vizitës së tij në Japoni dje zhvilloi një takim me homologun e tij Taro Kono.