Ministri i Jashtëm i Gjermanisë: Irani rrezikon izolimin ndërkombëtar

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas bisedoi në Teheran me homologun, Javad Zarif, në përpjekje për të lehtësuar tensionet në Gjirin Persik. Por ekspertët nuk janë optimistë.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif tha të hënën se ai dhe homologu i tij gjerman, Heiko Maas, patën bisedime “të sinqerta dhe serioze” për marrëveshjen bërthamore të vendit të tij me fuqitë botërore. Ai shtoi se “Teherani do të bashkëpunojë me nënshkruesit e marrëveshjes në BE për ta shpëtuar atë. ”

Por njëkohësisht Sarifi paralajmëroi për rrezikun e vazhdimit të tensioneve me SHBA. Sipas tij, pa ndërprerjen e sanksioneve amerikane, nuk mund të ketë zgjidhje të konfliktit. Në një konferencë shtypi ai foli për një luftë ekonomike që Trumpi sipas tij po bën kundër Iranit. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas po përpiqet në Teheran që të shpëtojë marrëveshjen bërthamore me Iranin. SHBA e braktisën atë një vit më parë.

Në Teheran, Maas ritheksoi rëndësinë e marrëveshjes bërthamore, duke thënë se ajo është “jashtëzakonisht e rëndësishme” për sigurinë e Evropës. Ai e përshkroi situatën si shumë shpërthyese dhe tepër serioze. Shefi i diplomacisë gjermane tha më tej se Gjermania dhe partnerët e saj evropianë “kanë bërë përpjekjet më të mëdha për të përmbushur angazhimet (e tyre)”.

Por Irani mendon nuk mendon kështu. “Deri tani, nuk kemi parë hapa praktikë dhe konkretë nga evropianët për të garantuar interesat e Iranit … Teherani nuk do të diskutojë çështje të tjera përtej marrëveshjes bërthamore”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mousavi.

“Ajo që presim nga Bashkimi Evropian është që ai të veprojë në përputhje me angazhimet e tyre”, shtoi ai. Megjithë këtë, Maas deklaroi se partnerët evropianë po punojnë për të përmirësuar gjendjen ekonomike të Iranit, pavarësisht sanksioneve. Ai dëshiron të parandalojë një përshkallëzim ushtarak në rajon.