Ministri gjerman i ekonomisë do të vizitojë Turqinë

Sipas lajmit të “Deutsche Welle” ministri i Ekonomisë së Gjermanisë Peter Altmaier në tetor do të vijë në Turqi për të krijuar një platformë bisedimi mbi marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.

Ministri i Ekonomisë së Gjermanisë, Peter Altmaier në tetor do të vijë në Turqi.

Sipas shërbimit të “Deutsche Welle” në turqisht, vizita ka për qëllim krijimin e një platforme për të biseduar mbi marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.

Kurse Agjencia Gjermane e Lajmeve (DPA) njoftoi se vizita e ministrit Altmaier do të realizohet në datat 25-26 tetor.

Mësohet se Altmaier në Turqi do të vijë me një delegacion të madh, 80 vetë.

Programi i vizitës së Altmaier gjithashtu përfshin edhe mbajtjen e sesionit të radhës së Mbledhjes së Komisionit të Përzier Turko-Gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar.

Puna përgatitore për mbledhjen e këtij komisioni, ku do të diskutohen marrëdhëniet ekonomike dypalëshe ndërmjet Gjermanisë dhe Turqisë, kishte filluar vite më parë.

Gjermania është partnerja më e rëndësishme e Turqisë në tregtinë e jashtme. Në Turqi operojnë më shumë se 7 mijë 100 biznese gjermane.