Ministri Çavusoglu vazhdon me kontakte dypalëshe në kuadër të mbledhjes së ASEAN-it

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu në kuadër të mbledhjes së ASEAN-it, zhvilloi një takim me homologen e tij indoneziane, Retno Marsudi.

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu i ndodhur në Singapor për të marrë pjesë në mbledhjen e 51-të të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Unionit të Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN), zhvilloi një takim me homologen e tij indoneziane Retno Marsudi.

Sipas informatave të marra nga burimet diplomatike, ministri Çavusoglu dhe homologia Marsudi krahas temave të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, industrisë së mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit, biseduan edhe në lidhje me çështjet rajonale përfshirë edhe gjendjen e myslimanëve të Arakanit.

Ndërkaq takimi i planifikuar për sot me Zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Jashtëm të Vietnamit, Phan Binh Minh, është shtyrë për një ditë tjetër për shkak të punimeve të ASEAN-it.

Në mbledhjen e 51-të të ministrave të jashtëm të vendeve të ASEAN-it krahas ministrave nga Indonezia, Malajzia, Tajlanda, Filipinet, Singapori, Brunei, Vietnami, Laosi, Mianmari dhe Kamboxhia, marrin pjesë edhe ministrat e vendeve Partnere të Dialogut të ASEAN-it, respektivisht të BE-së, ShBA-së, Kanadasë, Rusisë, Kinës, Japonisë, Koresë së Jugut, Indisë, Australisë dhe Zelandës së Re, si dhe ministrat e vendeve të Dialogut Sektorial të ASEAN-it, respektivisht të Turqisë, Pakistanit, Norvegjisë, Zvicrës dhe 30 ministra dhe zëvendësministra të vendeve anëtare të Forumit Rajonal të ASEAN-it.

Ministri Çavusoglu, i cili pas formimit vitin e kaluar të “Partneritetit të Dialogut Sektorial me ASEAN-in” mori pjesë në mbledhjen tresh të ministrave ASEAN-Turqi, në kuadër të mbledhjes së ministrave të jashtëm do të zhvilloj takime dypalëshe edhe me homologët e vendeve tjera pjesëmarrës në këtë mbledhje që do të zgjatë deri më 4 gusht.