Ministrat e Integrimit të Evropës Juglindore takim në Tiranë

Ministrat dhe zyrtarët pjesëmarrës kanë nënshkruar edhe deklaratën e përbashkët të takimit, që në fokus ka çështjet e integrimit evropian dhe proceset reformuese në vendet e Evropës Juglindore

Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, po mbahet takimi i ministrave të Integrimit të vendeve të Evropës Juglindore, i kryesuar nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ministrja për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi është hapur nga ambasadorja e Gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz, e cila theksoi se Procesi i Berlinit do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim. “Shqipëria ka bërë përpara në lidhje me prioritetet kyçe, si dhe ka ecur përpara në reformën në drejtësi, e cila është hartuar për ta shndërruar tërësisht sistemin e drejtësisë dhe në këtë mënyrë ka potencialin për t’u bërë shembulli për vendet e terja të rajonit. Gjermania është e bindur se anëtarësimi eventual i vendeve të Ballkanit Perëndimor ndihmon jo vetëm stabilitetin e rajonit, por edhe të gjithë Evropën”, tha Schütz.

Pas fjalës përshëndetëse të ambasadores Schütz takimi ka vazhduar pa praninë e medias, me fjalimet e ministrave dhe zyrtarëve pjesëmarrës.

Ministrat dhe zyrtarët e tjerë pjesëmarrës gjatë takimit kanë nënshkruar edhe deklaratën e përbashkët të takimit, që në fokus ka çështjet e integrimit evropian, proceset reformuese në vendet e Evropës Juglindore dhe bashkëpunimin rajonal.

Në takim marrin pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, zv/kryeministri për Çështjet Evropiane i Maqedonisë, Bujar Osmani, ministrja e Integrimeve Evropiane e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane e Kroacisë, Marija Pejçinoviç Buriç, si dhe përfaqësues nga Serbia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina.

Ndërkohë pas këtij takimi, ministri Bushati do të realizojë një takim bilateral me homologen austriake, Karin Kneissl, vendi i së cilës mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, ku do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.