Mevlut Çavuşoğlu: Turqia po kuptohet më mirë në Evropë pas politikave të njëanshme të SHBA-së

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të mërkurën se vlera e vendit të tij është kuptuar shumë më mirë në Evropë pas politikave të njëanshme të SHBA-së dhe qasjes së saj ndaj Evropës...

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të mërkurën se vlera e vendit të tij është kuptuar shumë më mirë në Evropë pas politikave të njëanshme të SHBA-së dhe qasjes së saj ndaj Evropës.

Mevlut Çavusoglu vlerësoi marrëdhëniet Turqi-Bashkimi Evropian në një prononcim ekskluziv për Agjencinë Anadolli (AA).

Ai theksoi se negocimi i përditësimit të Unionit Doganor është në të mirën e më shumë se gjysmës së shteteve anëtare të BE-së.

“Nëse bëhet azhurnimi, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të përfitojnë më shumë sesa Turqia. Prandaj një qëndrim i llojit ‘kjo është në dobi të Turqisë apo të tërhiqemi, sepse nga kjo do të përfitojë Turqia’, s’mund të jetë veçse një qëndrim me perspektivë politike të ngushtë, i cili nuk është në gjendje të shohë vizionin e madh”, tha Çavusoglu.

Duke siguruar se Turqia s’ka ndonjë problem me vendet evropiane, shefi i diplomacisë turke vuri në pah se populizmi po rritet gjithnjë e më shumë në politikën evropiane, ku islamofobia dhe turkofobia po bëhen përherë e më të theksuara sidomos në periudhat zgjedhore.

Çavusoglu potencoi se marrëdhëniet Turqi-BE duhet të jenë më realiste dhe se në vend të çështjeve teknike, Unioni vepron politikisht në negociatat me Turqinë.

Sipas tij, Turqia është ftuar në disa mbledhje gjatë presidencës austriake të Bashkimit Evropian dhe aty është përfaqësuar në nivele të ndryshme.

Por – shtoi ai – në procesin e anëtarësimit në BE nuk do të bëhet një hap i rëndësishëm, përfshi këtu hapjen e një kapitulli të ri; këtë e dimë edhe ne, e di edhe Unioni.

“Ne kemi biseduar mbi hapat e përbashkëta që mund të bëhen gjithashtu me Rumaninë, vendi që do të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Çështjet ku mund të shënohet progres janë Unioni Doganor, liberalizimi i vizave dhe Marrëveshja e Ripranimit”, nënvizoi ministri i Jashtëm turk.

Sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Turqisë, Çavusoglu tha se kriteret e paplotësuara ishin 7 dhe tani kanë rënë në 6.

“Punimet tona në lidhje me këtë çështje po vazhdojnë. S’është shumë e lehtë, por e rëndësishme është edhe që kanë rënë në 6, nga 72 në total. Ne do të intensifikojmë përpjekjet tona për ta jetësuar këtë edhe kështututje”, vlerësoi kryediplomati turk.

Ministri Çavusoglu theksoi mes të tjerash se bërja e hapave të përbashkëta në fusha me interes dhe dobi për Bashkimin Evropian, siç janë marrëveshja për emigracionin dhe lufta kundër terrorizmit, kanë ndërtuar një agjendë pozitive në marrëdhëniet Ankara-Bruksel./TRT