Mevlut Çavuşoğlu: Ndërhyrja e huaj në Venezuelë do ta thellojë problemin

"Ndërhyrjet e tilla të huaja nuk janë të shëndetshme dhe nuk janë të drejta", tha shefi i diplomacisë turke

Çdo ndërhyrje e huaj në Venezuelë është “jo e drejtë” dhe do të thellojë problemin, tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA)

“Ne jemi duke thënë që nga fillimi. Ndërhyrjet e tilla të huaja nuk janë të shëndetshme dhe nuk janë të drejta. Nuk do të ofrojnë një zgjidhje, por do ta thellojnë problemin, Mos dhashtë Zoti, vendi madje mund të zvarritet në një luftë civile”, tha Çavuşoğlu para gazetarëve në Rumani, ku gjendet për të marrë pjesë në takimin joformal të ministrave të jashtëm të BE-së.

Kryediplomati turk tha se vendet duhet të sjellin dialogun në rend të parë në vend se të marrin anë.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi Parlamenti Evropian njohu kreun e opozitës të Venezuelës Juan Guaido si president të përkohshëm.

Venezuela është tronditur nga protesta që nga 10 janari, kur presidenti Nicolas Maduro u betua për mandatin e dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.

Tensionet u rritën kur Guaido shpalli veten presidentin në detyrë më 23 janar, hap që menjëherë u njoh nga SHBA-të.

“Askush nuk duhet të mos e respektojë vullnetin e popullit venezuelas”, tha Çavuşoğlu, duke iu referuar zgjedhjeve që e mundësuan ardhjen e Maduros në pushtet.

Ai bëri thirrje për dialog dhe bashkëpunim për të zgjidhur problemin në Venezuelë.