Mevlut Çavuşoğlu: Marrëveshja për emigracionin me BE-në funksionon me sukses

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Çavuşoğlu po ashtu i bëri thirrje BE-së të jetë “më e vendosur” për të përmbushur nevojat e sirianëve në Turqi

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se marrëveshja për emigracionin e vitit 2016 me Bashkimin Evropian (BE) ka funksionuar “me sukes”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Marrëveshja për emigrimin që nënshkruam me BE-në më 18 mars të vitit 2016 është zbatuar me sukses deri më tani”, tha ministri Çavuşoğlu në Samitin Kartepe në provincën veriperëndimore Kocaeli.

Çavuşoğlu po ashtu i bëri thirrje BE-së të jetë “më e vendosur” për të përmbushur nevojat e sirianëve në Turqi.

Në muajin mars të vitit 2016, BE dhe Turqia arritën një marrëveshje për të ndaluar emigrimin e parregullt përmes Detit Egje dhe për të përmirësuar kushtet e më shumë se 3 milionë refugjatëve sirianë në Turqi.

BE-ja premtoi 6 miliardë euro (7.44 miliardë dollarë) fonde për refugjatët dhe premtoi të mobilizojë këstin e dytë prej 3 miliardë euro (3.72 miliardë dollarë) deri në fund të vitit 2018.

Turqia strehon 3.5 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë. Vendi ka shpenzuar më shumë se 32 miliardë dollarë nga burimet e veta për të ndihmuar dhe strehuar refugjatët që nga fillimi i luftës civile siriane.