Mevlüt Çavuşoğlu: Maqedonia, BeH dhe Gjeorgjia duhet të jenë pjesë e NATO-s

Anëtarësimi i këtyre shteteve do të jetë në mesin e prioriteteve të Turqisë, e cila gjatë samitit do ta aktualizojë këtë çështje, tha shefi i diplomacisë turke

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka riafirmuar nevojën që Maqedonia, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Gjeorgjia të anëtarësohen në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

“Gjeorgjia, Maqedonia dhe Bosnjë dhe Hercegovina duhet të përfshihen në aleancë sa më parë”, tha Çavuşoğlu në një panel të organizuar në kuadër të Samitit të NATO-s në Bruksel nga ana e Atlantic Council dhe disa think-tankeve.

Anëtarësimi i këtyre shteteve do të jetë në mesin e prioriteteve të Turqisë, e cila gjatë samitit do ta aktualizojë këtë çështje, tha shefi i diplomacisë turke në panelin me titull “Rendi global në ndryshim dhe një aleancë nën trysni”.

Po ashtu, Çavuşoğlu theksoi nevojën për unitet si asnjëherë më parë në luftën kundër terrorizmit, të cilin ai e cilësoi si kërcënimi kryesor.

“Ekziston edhe një tjetër problem me të cilin përballen komunitetet evropiane dhe të tjera. Këto janë intoleranca ndaj tjetrit dhe urrejtja. Në mesin e tyre mund të radhiten islamofobia, kristianofobia, antisemitizmi, armiqësia ndaj migrantëve dhe racizmi”, tha Çavuşoğlu.

Duke folur për kritikat për blerjen e sistemit të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia, Çavuşoğlu tha se Turqia nuk është e detyruar të bëjë zgjedhje mes njërit apo shtetit tjetër.

“Marrëdhëniet tona të mira me një rajon apo shtet nuk i shohim si alternatëvë për të tjerat”, theksoi ministri turk.

“Rusia erdhi me ofertën më të mirë”, shtoi Çavuşoğlu, duke thënë se Turqia ka nevojë emergjente për sistem të mbrojtjes ajrore.

“NATO mund të mbrojë vetëm 30 për qind të hapësirës sonë ajrore. Kush do ta mbrojë popullin, kombin tim në rast të ndonjë sulmi nga regjimi i Asadit ose nga ndonjë shtet tjetër”, potencoi më tej Çavuşoğlu.

Ai po ashtu tha se disa aleatë të NATO-s mbështetin ose bashkëveprojnë me disa organizata terroriste, duke shtruar nevojën për pyetur se si është e mundur që organizata terroriste PYD/YPG ka hyrë në rajonin verior sirian Munbixh dhe si ka arritur të kontrollojë 25 për qind të territorit sirian.

“Duhet t’u shmangemi standardeve të dyfishta teksa merremi me këto çështje sensitive dhe luftojmë terrorizmin”, tha shefi i diplomacisë turke.