Meta pret Di Maio-n: Të gatshëm për investime të mëdha italiane në Shqipëri

“Për rajonin, nuk ka alternativë tjetër veç integrimit në Bashkimin Europian, ndaj e vlerësojmë mbështetjen e plotë të Italisë për këtë objektiv madhor”, tha Meta.

Pasi takoi Kryeministrin Rama, kreun e PD, Basha, ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, është pritur edhe nga Presidenti Ilir Meta.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia mike në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi vendin tonë, si dhe kërkoi asistencën italiane edhe për rindërtimin dhe rehabilitimin e zonave të prekura.

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik, transmeton A2News.

“Për rajonin, nuk ka alternativë tjetër veç integrimit në Bashkimin Europian, ndaj e vlerësojmë mbështetjen e plotë të Italisë për këtë objektiv madhor”, tha Meta.

Presidenti Meta vlerësoi faktin se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. “Gjithsesi, ne presim një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve kryesorë italianë në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për të promovuar praninë e investimeve të mëdha italiane në Shqipëri”, theksoi Kreu i Shtetit.