Merrte porosi për pica, por shpërndante drogë, arrestohet 29-vjeçari në Tiranë

Një 29-vjeçar u arrestua nga Policia e Tiranës në kuadër të një operacioni të koduar “Distributori” ku u sekuestruan rreth 1.1 kg kanabis shpërndarë në doza, 7 celularë dhe një sasi lekësh. Pas hetimeve disamujore nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër te procedimit të vitit 2019,  policia arrestoi me vendim të gjykatës, E.M., 29 vjeç, banues në Tiranë.

29-vjeçari u arrestua mbrëmjen e djeshme në rrugën “Myslym Shyri”, duke tregtuar lëndë narkotike cannabis sativa. Gjatë kontrollit në ambientet e përdorura nga i riu, Policia gjeti tri qese me lëndë narkotike canabis sativa, të ndara në doza dhe të futura në qese farmaceutike, të gatshme për treg, shkruan Gazeta Dita.

Policia ka prova kundër të riut, foto, video dhe raporte vëzhgimi, të aktivitetit kriminal të shitjes së lëndës narkotike nga 29-vjeçari, duke realizuar edhe kapjen e disa personave që blinin tek E.M. Gjithashtu në kuadër të operacionit, u procedua në gjendje të lirë L.I., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.