Merr fund makthi i 630 emigrantëve, anija Aquarius ankarohet në Valencia

Anija e mbushur me migrantë të cilët u detyruan të kalojnë më shumë se tetë ditë në det, mbante 123 të mitur të pashoqëruar, 11 fëmijë dhe shtatë gra shtatzëna

Anija Aquarius me 630 emigrantë u ankorua të dielën në portin spanjoll të Valencias, me çka iu dha fund një lundrimi prej 1.500 kilometrash nga Italia.

Personeli mjekësor hipi në anijen italiane Dattilo në orën shtatë. Ajo shoqërohej nga anija Aquarius me emigrantë dhe një tjetër anije italiane për ndihmë.

1,000 punonjës të Kryqit të Kuq dhe shumë forca të policisë kanë qenë në gatishmëri për t’i pritur e për të ofruar ndihmën e parë pasi shumë prej tyre ishin në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të kohës së gjatë të qëndrimit në det, keq ushqimit dhe mungesës së ilaçeve.

Ata vijnë nga 26 vende të ndryshme, kryesisht nga Sudani, Eritrea, Algjeria dhe të tjera vende afrikane. Një pjesë e vogël janë nga Afganistani, Pakistani dhe Bangladeshi.

Qeveria e re socialiste e Spanjës ka premtuar kujdes shëndetësor falas dhe thotë se do të hetojë çdo rast azili.

“Është detyra jonë për të ndihmuar në parandalimin e katastrofës humanitare dhe të ofrojmë një port të sigurt për këta njerëz, për të përmbushur detyrimet tona për të drejtat e njeriut”-ka thënë kryeministri Pedro Sánchez pak ditë më parë.

Ai ka mbajtur një qëndrim miqësor ndaj  emigrantëve qëkurse mori postin e ri.

Anija Aquarius, e cila drejtohej nga grupi i mbështetjes SOS Mediterranee Sea dhe “Mjekët pa kufij”, erdhën në brigjet e Sicilisë të shtunën e kaluar, kur Italia refuzoi ankorimin dhe të njëjtën gjë e kërkoi edhe nga Malta.

Malta gjithashtu refuzoi kërkesën e anijes për të ankoruar dhe pastaj Spanja ofroi portet e saj të largëta 1.500 kilometra.