Mehaj: “Treni” i Kosovës drejt NATO-s është i pakthyeshëm

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se Kosova është në një rrugë të pakthyeshme drejt Aleancës Veriatlantike të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, ministri Mehaj tha se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke i përmbushur të gjitha standardet e nevojshme që u krijojnë parakushte autoriteteve shtetërore që një ditë të bëhet kërkesë që Kosova të jetë pjesë e saj.

Figurativisht, rrugën drejt anëtarësimit në NATO, ministri Mehaj e krahasoi me një tren, i cili, siç tha ai, është i pakthyeshëm.

“Unë jam i përkushtuar 200 për qind për Ushtrinë e Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Aktivitetet s’po ndalen në asnjë pikë dhe në asnjë mënyrë. E shihni që s’kemi të ndalur nga dita e parë. Treni po ecën dhe nuk do të ndalet. Ju them të gjithëve na mbështetni ngase jemi të pakthyeshëm”, ka thënë ai.

Mehaj tha se sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar të Ministrisë së Mbrojtjes, ai është i shkëlqyeshëm jo vetëm me shtete anëtare të NATO-s, por edhe me partner të NATO-s që nuk janë anëtarë të kësaj aleance.

Mehaj para deputetëve ka thënë se vazhdimisht është në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për avancimin e ushtrisë për “të shmangur gabimet e mundshme”, ndërsa bashkëpunim të mirë ka edhe me shtetet e rajonit, ngase siç tha ai “kur je i forcuar në rajon, je i forcuar edhe në rrafshin ndërkombëtar”.

Ministri Mehaj tha se Kosova aktualisht ka rreth 127 pjesëtare të FSK-së që po zhvillojnë shkollime dhe trajnime jashtë vendit. Prej tyre, 47 kadetë që po ndjekin studime në akademi ushtarake jashtë vendit si në SHBA, Turqi, Gjermani, Kroaci, Shqipëri, Maqedoni të Veriut e të tjera, ndërsa këto janë në kuadër të bashkëpunimit me NATO-n.

Në vitin 2028 pritet që FSK-ja t’i shpallë kapacitetet e plota operacionale, që më pas pjesa tjetër e rrugës për në NATO t’u mbetet autoriteteve të larta shtetërore.

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Buxhetin e vitit 2022, duke ndarë për herë të parë mbi 100 milionë euro për ushtrinë dhe duke nënvizuar se synimi është që “brenda mandatit të rritet përqindja e ndarjes për ushtrinë deri në 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, siç edhe e kërkon standardi i NATO-s”.