Mediat amerikane: Pompeo në Ankara dëgjoi audio-regjistrimet e vrasjes së Khashoggit

Në artikullin e medias amerikane më tej thuhet se burimi i lartpërmendur ka konfirmuar se “Khashoggi është ngulfatur në konsullatën saudite, në një veprim i cili ka zgjatur për rreth tetë minuta"

 Mediat amerikane shkruajnë se Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, gjatë qëndrimit të tij të fundit në Ankara ka dëgjuar audio-regjistrimet të cilat flasin se gazetari saudit Jamal Khashoggi është vrarë brenda Konsullatës së Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Televizioni amerikan ABC ka publikuar një artikull në të cilin i referohet një zyrtari të paemëruar turk, ku thuhet se zyrtarët e Turqisë i kanë lëshuar Sekretarit amerikan Pompeo të dëgjoj audio-regjistrimet në fjalë, si dhe i kanë dhënë një kopje të deshifruar.

Në artikullin e medias amerikane më tej thuhet se burimi i lartpërmendur ka konfirmuar se “Khashoggi është ngulfatur në konsullatën saudite, në një veprim i cili ka zgjatur për rreth tetë minuta”.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Heather Nauert, mohoi pohimet e televizionit ABC.

“Sekretari Pompeo nuk dëgjoi audio-regjistrime, as që ka marrë ndonjë regjistrim të deshifruar për zhdukjen e Khashoggit”, tha Nauert.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në një intervistë për New York Times është shprehur se beson se gazetari saudit Jamal Khashoggi është i vdekur, duke shprehur besim mbi raportet e inteligjencës nga burime të shumta që fuqimisht sugjerojnë rolin saudit në këtë rast.

Intervista për New York Times ndodhi pasi presidenti u informua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili u kthye nga një udhëtim në Arabinë Saudite dhe në Turqi.

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.